Forca e Sigurisë së Kosovës ka bërë të ditur se 17 kadetë të rinj të klasës 2030 kanë bërë betimin solemn, duke nisur kështu rrugëtimin e tyre drejt formimit si oficerë të ardhshëm të Republikës së Kosovës.
Në mesin e kadetëve është edhe një pjesëtar nga Republika e Shqipërisë.
Sipas njoftimit të FSK-së, betimi shënon fillimin e një kapitulli të ri për kadetët në Qendrën për Studime Universitare, ku ata do të përgatiten për detyrat dhe përgjegjësitë që i presin në të ardhmen.
Me këtë rast, kadetët kanë marrë përsipër përgjegjësitë, sfidat dhe privilegjet që lidhen me titullin e kadetit, duke shprehur përkushtimin për t’i shërbyer vendit me nder, përgjegjësi dhe profesionalizëm.


