Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, i ka kërkuar homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, që të ndërmerren hapa për ndalimin e sulmeve ndaj anijeve tregtare në Detin e Zi, duke i cilësuar ato si të “pashpjegueshme”.
Gjatë takimit mes dy liderëve, Erdogan theksoi se Turqia është e gatshme të kontribuojë në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës mes Ukrainës dhe Rusisë përmes një paqeje të qëndrueshme.
Turqia është e gatshme të bëjë gjithçka që mundet për t’i dhënë fund luftës Ukrainë-Rusi me një paqe të qëndrueshme.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve ishte siguria e lundrimit në Detin e Zi. Sipas presidencës turke, Erdogan u shpreh se duhet të ndërmerret një hap konkret për garantimin e sigurisë së anijeve tregtare dhe se të dyja palët duhet të veprojnë me përgjegjësi.
Ankaraja iu ka paraqitur Rusisë dhe Ukrainës propozime për ndalimin e sulmeve, përfshirë masa që lidhen me sigurinë e anijeve tregtare. Disa prej sulmeve kanë prekur edhe anije me pronësi turke dhe, sipas autoriteteve turke, kanë shkaktuar viktima mes qytetarëve të saj.
Turqia ka kërkuar gjithashtu që të krijohen kushte për transportin e sigurt të drithërave nga rajoni i Detit të Zi.


