Gazetarja e sportit Trevisa Tufa u ndal gjatë intervistës në “Live From Tirana” edhe te aktualiteti i futbollit shqiptar, duke komentuar situatën e Kombëtares shqiptare në prag të ndeshjeve të UEFA Nations League. Sipas saj, ndeshjet e ardhshme janë vendimtare për të kuptuar drejtimin që do t’i japë trajneri Maran ekipit kombëtar, veçanërisht duke pasur parasysh se më pas do të fillojnë kualifikueset për Kampionatin Evropian.
“Këto ndeshje janë shumë të rëndësishme për të parë vetë trajnerin dhe vetë lojtarët, sepse gabimet nuk falen. Duhet të kualifikohemi patjetër,” theksoi Tufa.
Gazetarja kujtoi se në ndeshjet miqësore të qershorit, Maran e mori ekipin pa pasur kohë të mjaftueshme për të njohur lojtarët, madje duke përdorur pjesërisht listën e trashëguar nga ish-trajneri Sylvinho. Tani, sipas saj, situata është ndryshe pasi trajneri italian ka pasur kohë të mjaftueshme për të studiuar dhe punuar me futbollistët.
Të shohim se çfarë trajneri Maran do të bëjë në këto ndeshje, sepse këto mendoj që janë ndeshje shumë të rëndësishme për të pare vetë trajnerin, vetë lojtarët, sepse mbasi mbaron Liga e Kombeve do të kemi kualifikueset e Evropianit dhe ato janë shumë të rëndësishme që gabimet nuk falen, sepse ne ishim në Evropianin e fundit dhe nuk është më mendoj një objektiv, ndoshta në pikëpyetje. Duhet ta arrijmë, se s’bën me çdo kusht që të vijojmë. Të kemi dhe ne këtë ecurinë tonë në Evropian dhe të paktën të mundohemi të jemi të pranishëm gjithmonë. Kështu që duhet të shohim se çfarë do të na paraqesë vetë trajneri. Sepse në ndeshjet miqësore që u zhvilluan në muajin qershor nuk kishim çfarë të shihnim. Ishte një trajner që sapo kishte ardhur, nuk kishte shumë kohë në krye të kombëtares. Madje dhe vetë e pranoi që dhe listën atë kohë e mori thuajse të gatshëm nga lista që ka pas bërë dikur trajneri Sylvinho, sepse lojtarët nuk i njihte. Edhe patjetër që mund të bënte sa mund të bënte në ato ditë stërvitje me futbollistët që kishte prezent. Sot është ndryshe. Ka patur muaj për të parë lojtarët, për t’I ndjekur, ndoshta për të shkuar për t’i takuar nga afër dhe gjatë kësaj jave të punojë vetë personalisht me ato dhe ndoshta për të bërë më të mirën në katër ndeshje që do të zhvillohen në këto dy javë. Kështu që shpresojmë që të bëjnë më të mirën edhe për ne, se jemi çik të mërzitur këto kohët e fundit.
Duke bërë një krahasim me punën e Sylvinhos, Trevisa theksoi se trajneri brazilian pati qasje të ndryshme në varësi të kompeticionit: sulm agresiv në kualifikueset e Euro, dhe një lojë më e kujdesshme, e orientuar nga mbrojtja, në kualifikueset për Botërorin, ku Shqipëria arriti për herë të parë në histori një play-off. Sa për Maran-in, Tufa u shpreh e kujdesshme:
“Trajnerët italianë njihen për shkollën e të qenit të kujdesshëm, që zakonisht nënkupton lojë më të orientuar nga mbrojtja sesa nga sulmi. Por futbolli na ka mësuar se surprizat janë të mundshme.”
Gazetarja theksoi se objektivi i kualifikimit në Euro mbetet themelor për Kombëtaren shqiptare dhe se muajt e fundit të pritjes kanë krijuar një farë padurimi te tifozët për të parë ekipin në aksion.


