Vakkundër HPV-së sinimi nuk duhet të shihet vetëm si një masë mbrojtëse për vajzat. Sipas një modeli të ri matematikor, përfshirja e djemve në programet e vaksinimit mund të ulë ndjeshëm përhapjen e virusit dhe të afrojë objektivin e eliminimit të kancerit të qafës së mitrës. Në vendet ku vaksinohen vetëm vajzat, modeli tregon se do të nevojitej një mbulim shumë i lartë, rreth 99%, për të arritur një nivel të fortë imuniteti në popullatë. Përfshirja e djemve ndryshon ndjeshëm situatën: vaksinimi i rreth 65% të djemve adoleshentë, krahas vaksinimit të vajzave, mund të reduktojë ndjeshëm transmetimin e HPV-së.
Përfitimet nuk lidhen vetëm me mbrojtjen indirekte të grave. HPV lidhet edhe me disa lloje të tjera kanceri, përfshirë ato të fytit, gojës, penisit dhe anusit, duke e bërë vaksinimin e djemve një masë të drejtpërdrejtë mbrojtëse edhe për shëndetin e tyre. Ekspertët argumentojnë se vaksinimi kundër HPV-së në të dyja gjinitë mund të jetë një nga mënyrat më të rëndësishme për të ulur qarkullimin e virusit në popullatë dhe për të çuar përpara objektivin global për eliminimin e kancerit të qafës së mitrës.
Ndërkaq, një studim i ri i kryer në Mbretërinë e Bashkuar ka sjellë rezultate shumë premtuese: vaksina kundër virusit HPV mund të ulë pothuajse në zero rrezikun e vdekjes nga kanceri i qafës së mitrës tek gratë e reja. Studimi, i publikuar në revistën shkencore The Lancet, analizoi të dhënat e grave të moshës 20 deri në 34 vjeç gjatë periudhës 2001-2024. Tek gratë 20-24 vjeç, ku rreth 90% ishin vaksinuar kundër HPV-së në moshën 12-13 vjeç, nuk u regjistrua asnjë vdekje nga kanceri i qafës së mitrës për pesë vite radhazi.
Edhe te grupi 25-29 vjeç u vu re një ulje 100% e vdekjeve, ndërsa te gratë 30-34 vjeç, të cilat kishin pasur më pak mundësi për t’u vaksinuar, vdekshmëria u ul me 63%. Sipas studiuesve, vaksina funksionon kaq mirë sepse krijon një përgjigje të fortë imunitare dhe jepet përpara ekspozimit ndaj virusit HPV. Versioni aktual, Gardasil 9, mbron nga nëntë lloje të HPV-së që shkaktojnë mbi 90% të rasteve të kancerit të qafës së mitrës.


