Një veprim që për shumë njerëz është kthyer në një zakon të përditshëm, me idenë se sjell lehtësim të menjëhershëm, mund të fshehë rreziqe serioze për shëndetin. Mjekët po paralajmërojnë se kërcitja e qëllimshme e qafës nuk është një metodë trajtimi dhe në raste të caktuara, një lëvizje e gabuar mund të shkaktojë pasoja nga dëmtimi i shtyllës kurrizore deri te paraliza, goditja në tru dhe në situata ekstreme, vdekja. Profesori turk Özgür Yiğit, specialist i veshit, hundës dhe fytit dhe mjek kryesor koordinator në Spitalin e Qytetit Başakşehir Çam dhe Sakura në Stamboll, ka dhënë një paralajmërim të fortë për këtë praktikë.
Sipas tij, pretendimet se kërcitja e qafës mund të largojë dhimbjen apo edhe të përmirësojë dëgjimin nuk përbëjnë një trajtim të bazuar në mjekësi. Fakti që dikush mund të ndiejë një lehtësim të përkohshëm nuk do të thotë se e njëjta metodë është e sigurt për një person tjetër. Mjeku paralajmëron se një lëvizje e kryer në mënyrë të gabuar mund të shkaktojë dëmtime të rruazave të qafës, shtyllës kurrizore apo trungut të trurit. Në raste të rënda, mund të ketë edhe mpiksje gjaku që arrijnë në tru dhe të shkaktojnë paralizë. Pikërisht për këtë arsye, ekspertët këshillojnë që njerëzit të mos ia besojnë qafën personave të palicencuar apo atyre që pretendojnë se kanë mësuar teknika të tilla “me dorë”.
Por paralajmërimi bëhet edhe më serioz kur bëhet fjalë për enët e gjakut që ndodhen në këtë zonë. Profesor Suat Turgut, kreu i Shoqatës Turke të Otorinolaringologjisë dhe Kirurgjisë së Kokës dhe Qafës, shpjegon se pas rruazave të qafës kalojnë dy arterie të rëndësishme që furnizojnë trurin me gjak. Një lëvizje e papritur dhe e fortë mund të lidhet me dëmtime të këtyre arterieve, të cilat në literaturën mjekësore janë shoqëruar me goditje në tru, marramendje dhe hemorragji cerebelare.
Sipas ekspertit, rreziku nuk është i njëjtë për të gjithë. Anatomia e personit, dobësimi i kockave apo problemet ekzistuese me disqet e qafës mund ta bëjnë një lëvizje të tillë edhe më të rrezikshme. Mjeku përmend gjithashtu dëmtimin e njohur si “whiplash”, ku qafa lëviz me forcë përpara dhe pas. Në raste të rënda, një dëmtim i tillë mund të shkaktojë edhe probleme me frymëmarrjen dhe, në situata ekstreme, vdekje të papritur. Ekspertët këshillojnë që kushdo që përjeton dhimbje apo shqetësime pas një lëvizjeje të papritur të qafës të kërkojë menjëherë ndihmë mjekësore.
Një dëmtim i arterieve mund të mos jetë gjithmonë i dukshëm në momentet e para, ndërsa vonesa në trajtim mund të çojë në komplikacione serioze, përfshirë gjakderdhjen në tru. Pra, ajo “kërcitje” që për një moment ju bën të ndiheni më mirë, nuk duhet marrë si shenjë se qafa është trajtuar. Sipas mjekëve, kur bëhet fjalë për qafën, një lehtësim i çastit nuk ia vlen të rrezikohet shëndeti.


