Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka bërë të ditur se ka udhëtuar drejt Hagës, ku ka takuar ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara.
Tahiri ka thënë se ky udhëtim ishte ndryshe nga të tjerët gjatë gjashtë viteve të fundit, duke shprehur emocionet e tij pas takimit me Thaçin.
“Ky është një tjetër rrugëtim drejt Hagës, pas kaq shumë udhëtimesh gjatë këtyre gjashtë viteve. Por kësaj here ishte ndryshe. U mërzita shumë kur e takova Presidentin pas vendimit të padrejtë. E megjithatë, ai ishte i qetë, i fortë dhe i sigurt. Me besimin se drejtësia do të triumfojë dhe se Apeli do ta korrigjojë këtë padrejtësi”, ka shkruar Tahiri.
Tahiri ka bërë të ditur se Thaçi u ka dërguar të fala qytetarëve që morën pjesë në marshin e mbajtur në Prishtinë, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Ai ju dërgon të fala nga zemra, secilit prej jush që jeni në sheshin e Prishtinës dhe që u bëtë zëri i fuqishëm kundër padrejtësisë. Faleminderit për qëndresën, për solidaritetin dhe për zërin tuaj që nuk u shua”, ka shkruar ai.
Tahiri ka përmbyllur postimin me thirrjen për drejtësi për ish-krerët e UÇK-së.
“Drejtësi për çlirimtarët!”, ka shkruar Tahiri.


