Danielle Peazer, ish-e dashura e këngëtarit të ndjerë të One Direction, Liam Payne, ka marrë një tjetër hap të rëndësishëm në jetën e saj sentimentale.

Kërcimtarja ka njoftuar fejesën me partnerin e saj, Sonny Jay, fituesin e “Dancing on Ice”, pas një propozimi romantik në një shkëmb në Ibiza. Çifti ndau me ndjekësit disa fotografi nga momenti special, ku Sonny shihet i ulur në gjunjë duke i propozuar Danielle-s.

Danielle, e cila pranoi propozimin, shfaqi edhe unazën e fejesës, ndërsa në fotografi çifti shihet duke u përqafuar dhe puthur.
Ja ku jemi, drejt përgjithmonë, me atë që më bëri të besoja në dashurinë e vërtetë
-shkruan çifti në postimin e përbashkët.

Lajmi vjen pas më shumë se tre vitesh lidhje mes Danielle dhe Sonny. Dyshja është gjithashtu prindër i një vajze, Mia, e cila erdhi në jetë në maj të vitit 2024. Kur njoftuan lindjen e saj, ata shkruan:
Dhe ata ishin 3… Ajo është këtu dhe ajo është perfekte.
Danielle kishte qenë më parë në një lidhje me Liam Payne, me të cilin u njoh gjatë periudhës së “The X Factor” dhe të lidhjes së tij me One Direction. Marrëdhënia e tyre zgjati deri në vitin 2013, por të dy ruajtën një raport miqësor edhe pas ndarjes.

Pas vdekjes së Liam Payne në tetor 2024, Danielle zbuloi gjithashtu se këngëtari i kishte dërguar një mesazh pak kohë para vdekjes së tij, duke i shprehur lumturinë për lidhjen e saj me Sonny dhe për vajzën e tyre.
Marrja e një mesazhi nga ti, vetëm disa javë më parë, ku shprehe lumturinë për dashurinë që gjeta me Sonny dhe Mia, është diçka që do ta ruaj gjithmonë
-kishte shkruar ajo në një dedikim për Liam.
Ndërkohë, Sonny Jay është një figurë e njohur në televizion dhe radio në Britani. Ai u bë fitues i “Dancing on Ice” në vitin 2021, ndërsa më herët ishte bërë i njohur edhe përmes “Britain’s Got Talent” me grupin Loveable Rogues.

Për Danielle dhe Sonny, fejesa shënon një tjetër kapitull të rëndësishëm pas lidhjes, prindërimit dhe jetës së tyre të përbashkët. Tashmë çifti po përgatitet për hapin e radhës, martesën.


