Robert De Niro, një nga aktorët më të njohur të Hollywood-it, u përfshi në një moment tepër emocional gjatë një interviste në podcastin “Good Hang with Amy Poehler”.
Aktori 83-vjeçar ishte i ftuar në podcastin e Amy Poehler më 15 shtator, në një bisedë që nisi me humor dhe kujtime nga karriera e tij, por që në fund mori një kthesë krejt tjetër. Poehler ndaloi batutat për t’i shprehur De Niros mirënjohjen për mënyrën se si ai ka përdorur zërin dhe ndikimin e tij publik për të folur për çështje që i konsideron të rëndësishme.
Poehler i tha aktorit se njerëzit që flasin hapur për padrejtësitë shpesh janë persona që nuk kanë të njëjtin ndikim apo status publik. Për këtë arsye, ajo i tha se fakti që një figurë me peshën e De Niros zgjedh të flasë hapur, mund t’u japë kurajë edhe njerëzve që nuk e kanë të njëjtën mundësi.
Dhe për të parë një person si ti, në moshën dhe me statusin që ke… është sikur dikush po mban një fjalim të tmerrshëm në një dasmë dhe po e shkatërron atë
-tha Poehler, duke e krahasuar më pas “dasman” me Amerikën dhe De Niron me personin që ngrihet për të thënë se një sjellje e tillë nuk është e pranueshme.
E kam parë të bësh këtë vazhdimisht dhe e vlerësoj vërtet”, vazhdoi ajo, përpara se t’i thoshte aktorit se qëndrimi i tij publik “do të thotë shumë për shumë njerëz
-pasi ai flet në mbështetje të personave që nuk kanë të njëjtën fuqi për ta bërë këtë vetë.
Fjalët e saj duket se e prekën thellë De Niron. Aktori u përlot dhe Poehler, e habitur nga reagimi i tij, shpërtheu me humor:
Nuk mund ta besoj që të bëra të qash.
Më pas ajo i solli një kuti me letra për të fshirë lotët, duke e kthyer sërish momentin në një nga skenat më të veçanta të intervistës.
Por emocioni nuk mbaroi aty. Kur Poehler e pyeti se çfarë do t’u thoshte njerëzve që ndihen të pashpresë, De Niro dha një përgjigje të shkurtër, por të drejtpërdrejtë:
E kuptoj këtë, por duhet të luftosh. Duhet të luftosh, sepse nëse nuk lufton, nuk do të marrësh asgjë.
De Niro ka qenë prej vitesh një figurë shumë e zëshme në çështjet politike dhe sociale në SHBA dhe ka kritikuar publikisht Donald Trump. Pikërisht kjo anë e tij ishte pjesë e vlerësimit që Poehler i bëri gjatë podcastit, duke folur për gatishmërinë e tij për të përdorur famën dhe pozicionin publik për të shprehur qëndrimet e tij.
Intervista u zhvillua ndërsa De Niro po promovonte gjithashtu dokumentarin “Tribeca 25”, i cili lidhet me 25-vjetorin e Festivalit të Filmit Tribeca, një event që ai bashkëthemeloi në New York. Biseda me Poehler preku edhe fëmijërinë e tij, karrierën, marrëdhënien e gjatë profesionale me Martin Scorsese dhe disa prej roleve që e kanë kthyer në ikonë të kinemasë.
Në fund, ajo që mbeti nga intervista nuk ishte një deklaratë e bujshme politike, por një moment i rrallë njerëzor: një aktor i njohur për personazhe të forta dhe një imazh të rezervuar, i cili nuk mundi t’i mbante lotët përballë fjalëve të një kolegeje.


