Anthony Martial është pranë rikthimit në La Liga, me sulmuesin francez që raportohet se është në bisedime të avancuara me Malagën, teksa ka refuzuar një ofertë marramendëse financiare nga një klub tjetër.
Martial është lojtar i lirë që nga qershori, kur ndërpreu me marrëveshje të dyanshme kontratën me klubin meksikan Monterrey. 30-vjeçari kishte shënuar vetëm një gol në 20 paraqitje për Monterreyn, pasi ishte transferuar në qershor të vitit 2025, pas një sezoni te AEK Athina, ku kishte realizuar nëntë gola në 24 ndeshje.
Dikur një prej sulmuesve më premtues të Ligës Premier gjatë kohës te Manchester Unitedi, Martial tani po kërkon të ringjallë karrierën e tij pas disa viteve të vështira.
Sipas Foot Mercato, francezi është në bisedime të avancuara për rikthimin në La Liga, ku më parë kishte luajtur si huazim te Sevilla gjatë sezonit 2021/22. Raportohet se Martial mund të nënshkruajë me Malagën në ditët e ardhshme.

Megjithatë, ajo që ka tërhequr më shumë vëmendjen është oferta që francezi ka refuzuar. Klubi libian Al-Ittihad Tripoli i kishte ofruar një kontratë dyvjeçare me pagë neto prej 10 milionë eurosh, si dhe rreth 5 milionë euro bonus nënshkrimi.
Në total, Martial kishte mundësi të përfitonte rreth 15 milionë euro deri në vitin 2028, por ai e ka refuzuar ofertën në mënyrë që të vazhdojë karrierën në Evropë dhe të gjejë një projekt ku mund të rikthehet në nivelet e tij më të mira.
Malaga është rikthyer këtë sezon në La Liga, por pas pesë javësh ndodhet në vendin e 18-të, me tri barazime dhe dy humbje. Transferimi i Martialit do të përbënte një përforcim të rëndësishëm për skuadrën spanjolle në luftën për mbijetesë./Telegrafi/


