Zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani, ka folur për situatën e krijuar rreth regjistrimit të nxënësve në SHF “Petar Zdravkovski-Penko” në Çair, duke theksuar se nxënësit që banojnë në këtë komunë duhet të regjistrohen në shkollat e saj.
Në emisionin “Impakt” në TV Shenja, Sulejmani tha se nëse paraqitet nevoja, mund të hapen paralele të reja, ndërsa në hapësirat e përshtatshme mund të shqyrtohet edhe ndërtimi i një shkolle të re.
Sipas tij, regjistrimi i nxënësve në shkollat e komunës ku banojnë do të ndikonte edhe në financimin e arsimit lokal, pasi numri i nxënësve lidhet me mjetet financiare që përfiton komuna.
Sulejmani sqaroi se ligji lejon regjistrimin e nxënësve në një komunë tjetër në raste të caktuara, veçanërisht kur ka nevojë për formimin e paraleleve, por theksoi se kur shkollat janë në afërsi dhe ka kapacitete, nxënësit duhet të regjistrohen në komunën e tyre.
“Kur kemi mundësi dhe shkollat janë afër, mendoj se nxënësit që i takojnë një komune duhet të regjistrohen në shkollat e asaj komune”, deklaroi Sulejmani.


