Uashington – Rezerva Federale e SHBA-së (Fed) rriti të mërkurën normën bazë të interesit me 0.25 pikë përqindjeje, në intervalin 3.75%-4.00%, në rritjen e parë të normave që nga korriku 2023. Vendimi u mor në mënyrë unanime, në një kohë kur inflacioni në SHBA vijon të jetë mbi objektivin e bankës qendrore.
Sipas Reuters, Fed sinjalizoi gjithashtu se mund të ketë të tjera rritje të kostos së huamarrjes në muajt e ardhshëm, ndërsa politikëbërësit përpiqen të rikthejnë inflacionin në objektivin prej 2%. Rritja e çmimeve të energjisë, e nxitur nga konflikti në Lindjen e Mesme, ka shtuar presionet inflacioniste.
Parashikimet e reja të Fed tregojnë se 16 nga 18 zyrtarët që paraqitën projeksione presin të paktën edhe një rritje të normës deri në fund të këtij viti. Norma bazë pritet të arrijë në intervalin 4.00%-4.25% në fund të vitit.
Fed ka rishikuar gjithashtu me rritje parashikimin për inflacionin. Indeksi i çmimeve të shpenzimeve të konsumit (PCE), matësi i preferuar i bankës qendrore, pritet të rritet me 3.7% këtë vit, nga 3.6% që parashikohej në qershor. Sipas projeksioneve të reja, inflacioni nuk do të rikthehet në objektivin prej 2% përpara vitit 2029.
Ndërkohë, parashikimi për rritjen ekonomike amerikane për vitin 2026 është rishikuar lehtë në 2.3%, nga 2.2% më parë, ndërsa papunësia pritet të jetë 4.1% në fund të vitit.
Vendimi shënon edhe lëvizjen e parë të politikës monetare nën drejtimin e kryetarit të ri të Fed, Kevin Warsh. Tregjet financiare po ndjekin me vëmendje sinjalet e tij për ritmin e mëtejshëm të rritjes së normave dhe ndikimin që normat më të larta mund të kenë mbi ekonominë amerikane
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.


