Ish-këshilltari politik i Hashim Thaçit, Ardian Arifaj, ka thënë se PDK-ja është e bindur se gjatë procesit të konstituimit të Kuvendit është shkelur Kushtetuta dhe korniza ligjore e Kosovës.
Arifaj për Ekonomia Online ka deklaruar se PDK-ja të hënën e ka dorëzuar lëndën në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa tash pret që ky institucion të japë vlerësimin e tij për çështjen.
“PDK-ja sot e ka dorëzuar lëndën në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës dhe është e bindur se është shkelur Kushtetuta e Republikës së Kosovës, përgjegjësia korniza ligjore e Kosovës”, deklaroi Arifaj.
Ai tha se pret që vendimi i Gjykatës Kushtetuese të pengojë, siç u shpreh, vazhdimin e shkeljes së Kushtetutës dhe të kornizës ligjore në Kosovë.
“Tani do të presim se çfarë do të thotë Gjykata Kushtetuese. Ajo është kompetente të japë përgjigjen. PDK-ja, me vetë faktin që e ka dorëzuar lëndën, beson se ka pasur shkelje të Kushtetutës”, tha ai.



