Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, së bashku me drejtues të tjerë të PD-së dhe familjarë të Azem Hajdarit, përkujtuan sot figurën e tribunit të demokracisë, 28 vite pas vrasjes së tij.
Pas vendosjes së kurorave me lule në monumentin e ngritur në vendin ku u vra Hajdari, Noka e cilësoi atë si një simbol të lirisë dhe demokracisë, duke deklaruar se mesazhi i tij mbetet aktual përballë asaj që opozita e quan “narko-regjim” të Edi Ramës.
Noka u bëri thirrje shqiptarëve të organizohen, të mbështesin protestat dhe të përballen me qeverinë, duke theksuar se, sipas tij, rruga e vetme për rrëzimin e regjimit është “qëndresa, beteja dhe kryengritja”.
Flamur Noka: Kjo është një ditë ku ne nderojmë, kujtojmë, Azem Hajdarin, këtë tribun liberator që i priu me guxim dhe kurajo protestave studentore për të përmbysur regjimin më gjakatar që ka njohur historia e Shqipërisë.
Sot pas 28 vitesh, Azem Hajdari për çdo demokrat, për çdo shqiptar që i thotë lirisë liri dhe demokracisë demokraci është frymëzim. Më shumë se kurrë është motiv, është motiv për t’u përballur me një regjim që tashmë është regjimi i krimit dhe i korrupsionit, me narko-regjimin e Edi Ramës.
Azem Hajdari sot bën apel, që ka vetëm një rrugë për të rrëzuar këtë regjim. Dhe ajo rrugë është përballja, qëndresa, beteja me ta, kryengritja, është rruga e vetme për të rrëzuar regjimin. Ndaj në këtë ditë, krahas nderimit dhe mirënjohjes që Partia Demokratike ka për këtë tribun liberator, ne i bëjmë apel çdo shqiptari.
Kjo ditë duhet të jetë dita që simbolizon betejën, kryengritjen, duhet të jetë apel për çdo shqiptar. Të mbështesim çdo protestë, të ngrihemi të gjithë.
Narko-regjimi sot përveçse ka futur Shqipërinë në varfëri, përveçse po vjedh dhe po rrënon gjithçka, përveçse po shpopullon, ai ka një synim antikombëtar, ta shkatërrojë Shqipërinë.
Ndaj rruga e vetme është ajo që na ka mësuar dhe na ka lënë amanet Azem Hajdari, të organizohemi, të ngrihemi, të rrëzojmë narko-regjimin.


