Stella Parton ka folur për ditët e fundit të motrës së saj, ikonës së muzikës country Dolly Parton, duke zbuluar se ajo ishte e qetë dhe e përgatitur për fundin e jetës.
Në një intervistë për “CBS Mornings” me Gayle King, Stella tregoi se lidhja e ngushtë mes tyre e lejonte të kuptonte gjendjen emocionale të Dolly-t edhe pa pasur nevojë që ajo të fliste.
E di që ishte në paqe. Gjithmonë mund ta kuptoja duke parë fytyrën e saj, edhe nëse nuk e kisha parë prej muajsh
-tha Stella.
Ajo shpjegoi se arrinte të dallonte menjëherë nëse Dolly ishte e lënduar, e zemëruar, e lumtur apo e trishtuar, edhe vetëm duke e parë në kamera.
Ne ishim motra dhe ishim shumë të afërta si familje. Ajo e dinte se ku po shkonte. Nuk po shkonte në ndonjë vend të keq. Po shkonte të ishte me mamin dhe babain
-u shpreh Stella, duke shtuar se Dolly ishte “patjetër e përgatitur”.
Dolly Parton ndërroi jetë më 25 gusht 2026, në moshën 80-vjeçare, pas një beteje të shkurtër me kancerin.
Sipas Stellës, Dolly kishte zgjedhur të mos e bënte publike gjendjen e saj shëndetësore, pasi nuk dëshironte që fansat apo familjarët të shqetësoheshin.
Dolly nuk mund t’i duronte gjërat negative dhe nuk do të donte që fansat e saj të shqetësoheshin për të. Nuk donte që shumë nga familja të shqetësohej
-tregoi Stella, duke shtuar se vetëm disa prej familjarëve më të afërt ishin në dijeni.
Familja gjithashtu ka zgjedhur të mos zbulojë llojin e kancerit, duke respektuar dëshirën dhe privatësinë e Dolly-t.
Duke kujtuar motrën e saj, Stella tha se ajo që do t’i mungojë më shumë është optimizmi i Dolly-t.
Ajo e përshkroi këngëtaren si një njeri të ëmbël, të dashur, të talentuar dhe jashtëzakonisht krijues, duke theksuar se Dolly kishte një aftësi të rrallë për të ëndërruar përtej kufizimeve të rrethanave.
Optimizmi i saj do të më mungojë më shumë, sepse ishte personi më optimist që kam njohur ndonjëherë
-tha Stella.
Për të, trashëgimia e Dolly-t nuk qëndron vetëm te muzika dhe suksesi, por edhe te mesazhi që ajo u dha njerëzve që vinin nga kushte të vështira: të mos ndalonin së ëndërruari.


