Ikona e modës dhe e guximit mbretëror, “fustani i hakmarrjes” i Princeshës Diana, do të nxirret sërish në shitje nga shtëpia e njohur e ankandeve Sotheby’s më 9 dhjetor në Nju Jork. Veshja e zezë me dekolte të hapur, e dizajnuar nga Christina Stambolian, llogaritet të shitet për një vlerë nga 150,000 deri në 300,000 dollarë. Një pjesë e fitimeve nga kjo shitje do të dhurohet për mbështetjen e shëndetit mendor në Spitalin Mbretëror të Edinburgut.
Rrugëtimi i fustanit përpara ankandit:
Londër: 18 – 24 shtator
Hong Kong: 1 – 15 tetor
Gjenevë: 6 – 11 nëntor
Nju Jork: Nga 2 dhjetori
Gjatë një mbrëmjeje bamirësie në qershor 1994, Diana parakaloi me këtë fustan legjendar po atë natë kur Princi Charles pranoi publikisht jashtëmartesën e tij në televizion. Duke thyer çdo rregull të etiketes mbretërore, ajo e shndërroi pamjen e saj në një deklaratë të fuqishme vetëbesimi. Morgan Halimi nga Sotheby’s e përshkroi atë si një nga mesazhet më ndikuese të përcjella ndonjëherë përmes modës. Kjo nuk është hera e parë që veshja shitet për kauza bamirësie; Diana vetë e kishte nxjerrë atë në ankand në qershor të vitit 1997 për të mbledhur fonde kundër kancerit dhe SIDA-s, pak javë para ndarjes tragjike nga jeta në Paris.


