Sandra Bullock ka folur hapur për një nga periudhat më të vështira të jetës së saj, kur kujdesej për partnerin e saj të ndjerë, Bryan Randall, gjatë betejës së tij me ALS. Aktorja tregoi se motra e saj, Gesine Bullock-Prado, ishte një nga njerëzit më të rëndësishëm që e ndihmuan të kuptonte se nuk mund të harronte veten dhe fëmijët e saj.
Gjatë podcastit “Good Hang” të Amy Poehler, Bullock pranoi se gjithmonë ka pasur prirjen të kujdeset për të tjerët, por gjatë sëmundjes së Randall kishte lënë pas dore veten.
Ajo tha se nuk e ka të lehtë të kërkojë ndihmë, por në atë periudhë kishte kuptuar se kishte nevojë për të. Për të, ky ishte një “zgjim i madh” dhe një nga mësimet më të rëndësishme që mori nga ajo periudhë.
Bullock tregoi se motra e saj e kishte parë se sa shumë po e rëndonte situata dhe e kishte paralajmëruar se duhej të kujdesej për veten.
Nëse nuk fillon të kujdesesh për veten, diçka do të ndodhë me ty. Dhe çfarë do të ndodhë me Lou dhe Laila?
-i kishte thënë Gesine, duke iu referuar dy fëmijëve të Bullock, Louis dhe Laila.
Aktorja e përshkroi motrën e saj si “të jashtëzakonshme”, duke theksuar se ajo ishte një nga personat që e ndihmuan të kuptonte rëndësinë e të kërkuarit mbështetje.
Bryan Randall ndërroi jetë në vitin 2023, në moshën 57-vjeçare, pas një beteje trevjeçare me ALS. Bullock kishte respektuar dëshirën e tij për ta mbajtur diagnozën private, gjë që sipas saj e bëri periudhën edhe më izoluese.
Në muajt dhe vitet pas vdekjes së Randall, Bullock u tërhoq për një periudhë nga aktrimi për t’u përqendruar te familja dhe shërimi personal. Tani ajo është rikthyer në ekran me “Practical Magic 2”, ku luan sërish përkrah Nicole Kidman.


