Këngëtarja britanike Jessie J ka njoftuar se do të shkëputet përkohësisht nga rrjetet sociale, ndërsa përgatitet t’i nënshtrohet një tjetër ndërhyrjeje kirurgjikale pas betejës me kancerin e gjirit.
Artistja 38-vjeçare tha se ka nevojë për kohë për t’u rikuperuar fizikisht dhe emocionalisht, pas një periudhe dyvjeçare me shumë ndryshime dhe angazhime.

Në një postim emocional në Instagram, Jessie J u përpoq të qartësonte se vendimi për t’u larguar përkohësisht nga rrjetet sociale nuk lidhet me një përkeqësim të gjendjes së saj.
Dua ta nis këtë postim duke thënë se jam mirë. Nuk jam në formën time më të mirë, por shumë larg nga më e keqja
-shkroi këngëtarja, duke shtuar se e di se postime të tilla mund të interpretohen në mënyra të ndryshme.
Ajo shpjegoi se tani që ritmi i punës është ngadalësuar, dëshiron të fokusohet te shëndeti, rikuperimi dhe djali i saj i vogël.
Jessie J përmendi disa prej ngjarjeve kryesore që ka përjetuar gjatë dy viteve të fundit.

Ajo publikoi një album pas një pauze tetëvjeçare, u zhvendos nga Shtetet e Bashkuara në Mbretërinë e Bashkuar, u përball me kancerin e gjirit, udhëtoi në turne në vende të ndryshme të botës dhe kaloi edhe një ndarje, ndërsa njëkohësisht u kujdes për djalin e saj.
Sipas saj, pas gjithë këtyre përvojave ka ardhur momenti për të ngadalësuar ritmin dhe për t’i dhënë më shumë hapësirë vetes.
Këngëtarja tha se synon t’i nënshtrohet operacionit të dytë të rindërtimit, të pushojë dhe t’i japë trupit kohë për t’u rikuperuar.
Ajo e përshkroi vendimin si një “pastrim dixhital”, duke sqaruar se mungesa e saj në rrjetet sociale nuk duhet të interpretohet si arsye për shqetësim.
Jessie J falënderoi gjithashtu fansat për mbështetjen dhe kujdesin që i kanë treguar gjatë gjithë rrugëtimit të saj shëndetësor.


