Gjithsej 34 zjarre në hapësira të hapura janë regjistruar gjatë 24 orëve të fundit. Prej tyre, 3 janë aktive, ndërsa 7 janë nën kontroll. Qendra për Menaxhim me Kriza njofton se aktive janë zjarret mes fshatrave Burinec – Lokovë – Sellcë – Elevc në Komunën e Strugës, te fshati Belicë, në lokalitetin Kajorec në drejtim të fshatit Brezicë në Komunën e Makedonski Brodit, si dhe në vendin e quajtur Ramë, afër fshatit Brezë, në Komunën e Çuçer Sandevës. Ndalesa për lëvizje në pyje është zgjatur deri më 30 shtator
“Për fat të keq rreziku për zjarre në hapësira të hapura ende është shumë i lartë. Dje kemi pasur më së paku 34 zjarre në të hapur. Rreziku vazhdon edhe sot, edhe pse DPHM për sot paralajmëroi të reshura në pjesën perëndimore të shtetit, por në pjesët e tjera ende vlen rregulli “mjafton një shkëndijë, për një katastrofë të vërtetë”. Në këtë moment nuk kemi zjarre alarmante në të hapur. Ende është aktiv zjarri në Ramë të Malit të Zi të Shkupit, edhe pse është zvogëluar shumë, kemi kontroll të pjesshëm, pres që sot të kemi përparim dhe ta shuajmë tërësisht”, tha Angellov.


