Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, ka reaguar ashpër ndaj akuzave të Gjermanisë për përfshirjen e Rusisë në incidentin me një dron në Aeroportin e Leipzigut, duke e cilësuar situatën si “fillimin e një lufte të vërtetë”.
Në një intervistë për median ruse Vesti, Lavrov kritikoi autoritetet gjermane, duke pretenduar se nuk është kryer një hetim i mirëfilltë për të përcaktuar se kujt i përkiste droni.
“Askush nuk u shqetësua të hetonte se kujt i përkiste droni”, deklaroi ai, duke shtuar se, sipas tij, zhvillimet e fundit përbëjnë “në thelb fillimin e një lufte të vërtetë”.
Lavrov iu referua gjithashtu zhvillimeve para Luftës së Dytë Botërore, duke krahasuar masat e fundit të Gjermanisë me veprime të ndërmarra në të kaluarën.
“Më kujtohet se para fillimit të Luftës së Dytë Botërore, ose më saktë Luftës së Madhe Patriotike, gjermanët gjithashtu mbyllën misionet e tyre diplomatike”, tha ai.
Duke komentuar masat e ndërmarra nga Berlini ndaj Moskës, Lavrov i cilësoi ato si të papranueshme. “Kjo lloj loje është absolutisht e papranueshme. Ata duan përsëri luftë”, u shpreh ministri rus.
Gjermania akuzoi zyrtarisht Rusinë për incidentin e së martës, ku dyshohet se u tentua përdorimi i një droni pranë avionëve ukrainas të transportit të mallrave në Aeroportin e Leipzigut.
Pas incidentit, Berlini njoftoi një sërë masash ndaj Moskës. Mes tyre janë mbyllja e Konsullatës së Përgjithshme Ruse në Bon deri më 18 shtator, përfundimi i marrëveshjes gjermano-ruse të vitit 2011 për qendrat kulturore dhe mbyllja e Shtëpisë Ruse në Berlin.
Gjermania ka kërkuar gjithashtu që personeli rus dhe familjarët e tyre të largohen nga territori rus sa më shpejt të jetë e mundur.


