Nga Enver Robelli
Më 1991 mijëra serbë i stolisnin me lule tanket që shkonin për të sulmuar Kroacinë; më 2026, në Beograd dhe shumë qytete të banuara nga serbët (edhe në Bosnjë), krimineli i luftës Ratko Mlladiq pritet si hero. Vërejtjet e vakëta të BE-së nuk i bëjnë përshtypje fare Beogradit, i cili që nga rrëzimi i Sllobodan Millosheviqit ka marrë rreth 10 miliardë euro ndihma e kredi nga Brukseli.
Më 1991, dhjetëra tanke të të ashtuquajturës “Armatë Popullore e Jugosllavisë” (APJ), e cila ishte shndërruar në një soldateskë serbomadhe, u nisën nga Beogradi drejt Kroacisë për të penguar pavarësinë e saj të saposhpallur. Nga urat e Beogradit, baballarë, gjyshe e motra u hidhnin trëndafila tankeve.
Më 2026, mijëra serbë po e presin si hero Ratko Mlladiqin, kriminelin e luftës të dënuar për gjenocid nga të gjitha instancat e Tribunalit të Hagës. Në kisha po mbahen ceremoni fetare ortodokse për të vdekurin, në sheshe qytetesh po ndizen qirinj, një avion special i Qeverisë së Serbisë e solli kufomën e Mlladiqit në Aeroportin e Beogradit dhe, nga aty, ushtarët e bartën arkivolin e mbuluar me flamurin e Serbisë.
Gjatë rrugës nga aeroporti për në Beograd, dhjetëra njerëz përshëndetën autokolonën me pankarta: “Heronjtë nuk vdesin kurrë”, “Lum nëna për ty”, “Mirë se erdhe në shtëpi, gjeneral”, “Gjeneral, faleminderit”. Pjesëtarë të policisë dhe ushtrisë përshëndetën me nderim ushtarak autokolonën e veturave, në të cilën ndodhej edhe furgoni me trupin e Mlladiqit.
Pamja që po i ofrohet botës është se – nga këndvështrimi serb – kemi të bëjmë me një hero. Kjo qasje tregon se Serbia nuk ka ndryshuar nga ajo e viteve 1990-të sa i përket ballafaqimit me të kaluarën e errët, kriminale dhe fashiste.
Faktet janë të ditura. Ratko Mlladiqi u dënua nga Gjykata e Hagës për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë, ku u vranë më shumë se 8000 burra dhe djem boshnjakë (myslimanë), për rrethimin disa-vjeçar të Sarajevës gjatë luftës së viteve 1992-1995 (mbi 11 mijë të vrarë), si dhe për krime të tjera lufte, përfshirë ngritjen e kampeve për mbajtjen e civilëve joserbë dhe të robërve të luftës.
Çfarë kanë bërë Mlladiqi dhe ushtarët e tij, të përkrahur nga Serbia e Sllobodan Millosheviqit, është ndër krimet më të mëdha në Europë pas krimeve të Adolf Hitlerit në Luftën e Dytë Botërore. Paramendojeni sikur në vitin 1962 Gjermania të insistonte që Adolf Eichmanni, pas dënimit me varje në Izrael, të varrosej me nderimet më të larta shtetërore në Bonn.


