Prokurorët rumunë kanë ngritur aktakuzë zyrtare ndaj Andrew Tate për një sërë veprash të rënda penale, përfshirë trafikimin e të miturve, pastrimin e parave, marrëdhënie seksuale me të mitur dhe manipulimin e dëshmitarëve. Vëllai i tij, Tristan Tate, akuzohet për bashkëpunim në disa prej këtyre veprave.
Aktualisht, të dy ndodhen në paraburgim në Shtetet e Bashkuara, pasi u arrestuan në Miami në fund të korrikut mbi bazën e një kërkese për ekstradim nga Mbretëria e Bashkuar, ku kërkohen edhe për akuza për përdhunim.
Sipas njësisë rumune kundër krimit të organizuar (DIICOT), vëllezërit Tate dyshohet se përdornin të ashtuquajturën metodë “loverboy”, duke joshur vajza të reja me premtime për lidhje romantike ose martesë dhe më pas duke i detyruar të prodhonin përmbajtje pornografike për platforma me kamera online.
Një nga rastet më të rënda përfshin një vajzë që, sipas prokurorëve, ishte vetëm 15 vjeçe kur Andrew Tate e joshi në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2012 dhe më pas e transferoi në Bukuresht, ku dyshohet se u shfrytëzua seksualisht dhe u detyrua të regjistronte materiale pornografike. Tristan Tate akuzohet për përdorim të dhunës fizike ndaj viktimës.
Prokuroria pretendon gjithashtu se vëllezërit përvetësuan rreth 1.25 milionë dollarë nga të ardhurat e viktimës dhe tentuan t’i pastronin paratë përmes blerjes së katër makinave luksoze.
Avokatët e Andrew dhe Tristan Tate i kanë mohuar kategorikisht të gjitha akuzat.
Do të shqyrtojmë çdo aspekt të aktakuzës dhe do të kundërshtojmë çdo mangësi provuese, procedurale ose ligjore. Klientët tanë vazhdojnë t’i hedhin poshtë akuzat
-deklaroi avokati i tyre rumun, Eugen Vidineac.
Ende nuk është e qartë nëse Rumania do të kërkojë ekstradimin e tyre nga SHBA. Sipas ligjit rumun, gjykimi mund të zhvillohet edhe në mungesë, por fillimisht dosja duhet të kalojë në një panel paraprak që verifikon ligjshmërinë e procedurës, një proces që shpesh zgjat më shumë se afati 60-ditor i parashikuar nga ligji.
Kjo çështje vjen pasi, në fund të vitit 2024, një gjykatë në Bukuresht ktheu një dosje të mëparshme ndaj vëllezërve Tate në prokurori, duke shpallur të papranueshme disa prej provave të paraqitura.


