Policia, në bashkëpunim me institucionet kompetente shtetërore, gjatë ditës së djeshme ka sekuestruar rreth 1.1 milionë euro nga një person juridik dhe dy persona fizikë nga Strumica, përcjell TV21. Prej tyre, 597.500 euro janë gjetur në para të gatshme, ndërsa pjesa tjetër ishte e depozituar në llogari transaksionale. Këtë e bënë të ditur sot në një konferencë të përbashkët për media drejtori i Byrosë për Siguri Publike (BJB), Aleksandar Janev, përfaqësues të SPB-së Strumicë, Drejtorisë së të Ardhurave Publike, Policisë Financiare dhe Prokurorisë Publike.
Sipas drejtorit Janev, hetimi për paratë e përfituara në mënyrë të paligjshme kishte nisur që në prill të këtij viti. Te personi ku u gjetën paratë, nuk ishte konstatuar dokumentacion përkatës financiar që do të dëshmonte prejardhjen e tyre.
Hetimi çoi në një tjetër gjurmë, ku u konstatua se gjatë vitit 2018, nga persona fizikë dhe juridikë, në një llogari bankare të një personi fizik ishin depozituar edhe 500 mijë euro.
Pas analizave dhe hetimit financiar, u konstatua një mospërputhje e madhe mes të ardhurave vjetore të deklaruara si kursime dhe shumës së mjeteve financiare të depozituara. Sipas Janevit, nuk kishte dokumentacion të përshtatshëm që do të justifikonte prejardhjen dhe përdorimin e këtyre mjeteve për të gjithë familjen.
Në vijim të hetimit është konstatuar edhe një detyrim tatimor prej rreth 2 milionë denarësh, i cili nuk ishte paguar në buxhet.
Janev theksoi se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve ka mundësuar zbardhjen e rastit dhe se kjo paraqet një kapitull të ri në luftën kundër mjeteve financiare të përfituara në mënyrë të paligjshme.
“Ne gjithmonë do të pyesim se nga vijnë paratë, përkatësisht cila është prejardhja e tyre, kur ato janë objekt i një hetimi. Qytetarët e ndershëm maqedonas që veprojnë në përputhje me ligjin nuk kanë nga çfarë të frikësohen. Duhet të frikësohen ata që nuk kanë prejardhje të përshtatshme të mjeteve financiare dhe ata që nuk kanë bazë ligjore për pasurinë e fituar”, tha Janev.
Ai informoi se SPB Strumicë ka dorëzuar në Prokurorinë Publike të Strumicës kallëzim penal ndaj dy personave fizikë dhe një personi juridik për veprat penale evazion fiskal, fajde dhe pastrim parash. Detaje të tjera për rastin nuk u bënë të ditura, pasi, siç u theksua, procedura ndodhet ende në fazën e parahetimit.


