Presidenti egjiptian, Abdel Fattah al-Sisi ka pritur homologun e tij kinez Xi Jinping në Kajro, në vizitën e parë të liderit kinez në Egjipt pas rreth një dekade.
Takimi zhvillohet në një moment të tensionuar në Lindjen e Mesme, teksa përplasja mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit po ndikon në marrëdhëniet dhe aleancat në rajon.
Xi Jinping është pritur me ceremoni zyrtare dhe nderime ushtarake në pallatin presidencial në Kajro, përfshirë një përshëndetje me 21 të shtëna topash.
Vizita vjen në një periudhë kur Uashingtoni ka rritur presionin ndaj vendeve dhe kompanive që kanë lidhje ekonomike me Teheranin.
Kina është një prej partnerëve kryesorë të Iranit dhe një blerëse e rëndësishme e naftës iraniane, ndërsa Egjipti ka marrëdhënie të ngushta historike dhe ushtarake me Shtetet e Bashkuara. Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar së fundmi partnerët tregtarë të Iranit se mund të përballen me masa ndëshkuese, përfshirë shkëputjen nga sistemi financiar perëndimor.
Në këtë kuadër, Departamenti amerikan i Thesarit ka vendosur sanksione ndaj degëve në Emiratet e Bashkuara Arabe të bankës më të madhe egjiptiane, Banque Misr, nën dyshimet për transaksione me Teheranin.
Ndërkohë, Pekini ka deklaruar se do të mbrojë interesat e tij, ndërsa Xi Jinping pritet të takohet më vonë gjatë shtatorit me presidentin amerikan Donald Trump. Vizita në Kajro shihet edhe si një përpjekje e Kinës për të konsoliduar marrëdhëniet me vendet e rëndësishme të Lindjes së Mesme, në një kohë kur tensionet me Uashingtonin po rriten.


