Një histori e pazakontë nga bota e teknologjisë po tërheq vëmendjen e përdoruesve në rrjetet sociale në Indi. Një programues 31-vjeçar nga Bengaluru ka refuzuar një rritje të konsiderueshme page, duke vendosur se koha dhe qetësia personale vlejnë më shumë se një pagë më e lartë.
Historia u bë publike nga sipërmarrësi indian Rohan Dhawan, themelues i kompanisë së konsulencës së biznesit UAbility, i cili e ndau rastin në LinkedIn.
Në pamje të parë, oferta dukej e vështirë për t’u refuzuar. Por pozicioni i ri vinte edhe me një sërë detyrimesh.
Programuesi do të duhej të merrte pjesë në telefonata të vona me një ekip në SHBA rreth katër netë në javë, të udhëtonte shpesh për punë dhe të menaxhonte një ekip gati dy herë më të madh se ai aktual. Edhe fundjavat, sipas sipërmarrësit, do të bëheshin më pak të parashikueshme.
Por kishte edhe arsye të tjera personale pas vendimit.
Çifti po planifikon të ketë fëmijë vitin e ardhshëm, ndërsa 31-vjeçari stërvitet pesë mëngjese në javë dhe ka edhe një rutinë të rregullt familjare, duke darkuar me prindërit çdo të mërkurë.
Vendimi i tij nuk u prit mirë nga babai. Sipas Dhawan, ai e pyeti djalin se përse do të refuzonte edhe 20 lakh rupi më shumë, kur shumë njerëz ndryshojnë punë për rritje shumë më të vogla page. Por për programuesin, paratë nuk ishin faktori i vetëm. Dhawan argumenton se pas një niveli të caktuar të të ardhurave, çdo rritje tjetër mund të ketë një kosto që nuk shfaqet në kontratën e punës: koha, marrëdhëniet, familja dhe qetësia personale.
Historia ka marrë shumë reagime në internet, veçanërisht nga profesionistë që thonë se karriera nuk duhet të matet vetëm me pagën.
Në fund, historia ngre një pyetje që po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme në botën e punës: Sa para ia vlen të fitosh, nëse për t’i fituar duhet të heqësh dorë nga koha për veten dhe familjen?
/vizionplus.tv


