Lisa Kudrow ka zbuluar kërkesën e vetme që fansat i bëjnë vazhdimisht dhe që aktorja e “Friends” nuk pranon ta plotësojë, pavarësisht se sa shumë e duan ata personazhin e saj, Phoebe Buffay.
Aktorja 63-vjeçare u bë e famshme në rolin e Phoebe-s, të cilin e luajti në të 10 sezonet e sitcom-it të njohur të NBC-së, të transmetuar nga viti 1994 deri në vitin 2004.
Krahas Kudrow, në serial luanin Jennifer Aniston, Courteney Cox, Matt LeBlanc, David Schwimmer dhe i ndjeri Matthew Perry. “Friends” ndiqte jetën e gjashtë miqve të ngushtë që jetonin në New York dhe u shndërrua në një prej sitcom-eve më të dashura të të gjitha kohërave.
Gjatë një interviste në emisionin “Fresh Air”, me Terry Gross dhe Tonya Mosley, Kudrow tha se nuk ka “asnjë ankesë për ‘Friends’ apo për asgjë që lidhet me të”.
Por aktorja pranoi se ekziston një kërkesë që e vë në siklet.
Kudrow tha se nuk e shqetëson kur fansat i kërkojnë të përsërisë batutat e famshme të Phoebe-s, madje as kur e thërrasin me emrin e personazhit.
Por kur vjen momenti për këngën ikonike të Phoebe-s, “Smelly Cat”, përgjigjja e saj është gjithmonë jo.
Herë pas here, njerëzit më ndalojnë dhe më thonë: ‘Oh, këndo “Smelly Cat”.’ Unë nuk dua ta bëj këtë. Vërtet nuk dua ta bëj
-u shpreh ajo.
Edhe pse kënga u bë një prej momenteve më të paharrueshme të personazhit, duket se Kudrow nuk ka asnjë dëshirë ta rikrijojë atë sa herë që e kërkojnë fansat.
Gjatë intervistës, aktorja foli edhe për përvojën e saj gjatë xhirimeve të “Friends” dhe marrëdhënien që krijoi me pjesëtarët e kastit.
Vetëm marrëdhënia me aktorët e tjerë… kalonim shumë mirë bashkë. Kjo është diçka shumë e rrallë. Dhe kishte një respekt të vërtetë e të sinqertë, një respekt të ndërsjellë
-tha ajo.
Kudrow pranoi se miqësitë mes tyre nuk u ruajtën thjesht sepse kishin një lidhje të mirë, por kërkonin përpjekje të vazhdueshme gjatë viteve.
Ishte një marrëdhënie shumë e mirë, e cila kërkonte pak përpjekje, dhe ne bëmë atë përpjekje. Ishte fantastike. Gjithçka rreth saj ishte fantastike.”
Aktorja tregoi se gjashtë aktorët “siguroheshin” që të kalonin kohë së bashku edhe jashtë skenave, ndërsa një prej mënyrave të tyre të preferuara për t’u argëtuar ishte loja e pokerit gjatë pushimeve mes xhirimeve.
Kështu, edhe pse “Friends” përfundoi më shumë se dy dekada më parë, Phoebe Buffay vazhdon të jetë aq e dashur sa fansat ende duan ta dëgjojnë “Smelly Cat”.
Vetëm se këtë herë Lisa Kudrow e ka bërë shumë të qartë: mund ta quani Phoebe-n, mund t’i kërkoni batutat e saj, por për “Smelly Cat” mos insistoni.


