Me vendimin e fundit të Këshillit Komunal, qytetarët e Gostivarit do të lirohen nga pagesa e faturave të ujit për muajin gusht. Iniciativa u ndërmor nga Këshilli i Komunës së Gostivarit si masë për zbutjen e pasojave nga gjendja e krizës dhe epidemia, të cilat zgjatën një muaj.
Në seancën e sotme u shqyrtuan edhe mundësitë për lirimin nga detyrimi i pagesës së ujit të pijshëm për disa muaj. Sipas kryesuesit të Këshillit, Valdet Xhaferi, kjo do të mund të bëhej për dy ose tre muaj, por një vendim i tillë duhet të jetë edhe realisht i zbatueshëm.
Drejtori i NP “Komunalec”, Almir Dauti, sqaroi se gjendja e jashtëzakonshme me furnizimin me ujë zgjati një muaj dhe konsideron se lirimi nga pagesa është i mjaftueshëm për një muaj, konkretisht për muajin gusht.
Nga përgjegjësit e NP “Komunalec” u bë e ditur se në seancën e ardhshme do të prezantohen planet për tejkalimin e problemeve me furnizimin e rregullt me ujë të pijshëm në disa lagje.


