Kim Kardashian dhe Lewis Hamilton duket se po e bëjnë gjithnjë e më të dukshme romancën e tyre, ndërsa një deklaratë e fundit e yllit të “The Kardashians” ka tërhequr vëmendjen e fansave.
Kardashian, 45 vjeçe, e ka cilësuar veten dhe pilotin e Formula 1 si “qëllime çifti”, vetëm disa muaj pasi lidhja e tyre u bë publike.
Të shtunën, ajo publikoi në Instagram Story një fotografi të skin-eve të saj dhe Hamiltonit në videolojën e famshme “Fortnite”. Të dy kanë versionet e tyre virtuale në kuadër të “Fortnite Icon Series”, të cilat mund të përdoren nga lojtarët, shkruan DailyMail.

Në imazhin e shpërndarë nga Kardashian, personazhet e tyre virtuale shfaqeshin krah për krah, ndërsa sipër fotografisë ajo kishte vendosur mbishkrimin: “#couplegoals”.
Një detaj i vogël, por që ka mjaftuar për të nxitur edhe më shumë komentet rreth marrëdhënies së çiftit.
Kim Kardashian dhe Lewis Hamilton dyshohet se nisën të afrohen në fillim të vitit 2026, ndërsa lidhjen e bënë publike në rrjetet sociale në qershor.
Përpara konfirmimit, dyshja ishte parë së bashku në Paris në shkurt, ku dukej mjaft e afërt me njëri-tjetrin.

Që prej atëherë, Kardashian dhe Hamilton kanë filluar të ndajnë herë pas here momente nga jeta e tyre, përfshirë selfie dhe pamje nga udhëtimet.
Kardashian ka treguar gjithashtu mbështetjen e saj për Hamiltonin në karrierën e tij sportive, duke qenë e pranishme në Çmimin e Madh të Formula 1 në Monaco.
Romanca duket se nuk po kufizohet vetëm te Kim dhe Lewis. Piloti britanik është parë gjithnjë e më pranë rrethit familjar të Kardashian, duke kaluar kohë në shoqërinë e disa prej motrave të saj, si dhe të katër fëmijëve të Kim.
Tani, me një “#couplegoals” të publikuar nga vetë Kardashian, duket se dyshja nuk po shqetësohet më aq shumë për ta mbajtur lidhjen larg syrit të publikut.
Nga pistat e Formula 1 te bota virtuale e “Fortnite”, Kim Kardashian dhe Lewis Hamilton po japin gjithnjë e më shumë sinjale se janë një çift që nuk ka ndërmend të fshihet.


