Nga një apartament i vogël në Philadelphia, ku flinte në një krevat marinari në korridor, te një prej emrave më të suksesshëm të Hollywood-it. Historia e Kevin Hart është një prej atyre rrëfimeve që tregojnë se suksesi nuk nis gjithmonë mes luksit dhe privilegjeve.
Aktori dhe komediani nga Philadelphia ka ndërtuar një karrierë që shkon shumë përtej stand-up-it, aty ku nisi gjithçka. Ai ka luajtur në filma të suksesshëm si “Ride Along”, “Central Intelligence” dhe “Jumanji: Welcome to the Jungle”, ndërsa paralelisht ka krijuar edhe një perandori të tijën në botën e biznesit.
Përmes kompanisë Hartbeat, Hart është zgjeruar në produksion, argëtim dhe media, duke ndërtuar një markë me shtrirje ndërkombëtare.
Por rruga drejt këtij suksesi ishte shumë larg luksit që sot lidhet me emrin e tij.
Në një intervistë për kanalin në YouTube “School of Hard Knock”, Hart kujtoi fëmijërinë e tij modeste në Philadelphia dhe mënyrën se si nisi të ndërtonte karrierën që në hapat e parë.
Më herët, ai kishte treguar se ishte rritur në një apartament të vogël me vetëm një dhomë, ku flinte në një krevat marinari në korridor së bashku me nënën dhe vëllain e tij më të madh.
Në korridor kishte një krevat marinari; njëra anë ishte e nënës, ndërsa ana tjetër ishte për mua dhe vëllain tim
-kishte rrëfyer ai për CNBC.
Më vonë, Hart u zhvendos në Los Angeles me shpresën për të gjetur mundësinë që do t’i ndryshonte jetën. Dhe pikërisht aty nisi të ndërtonte hap pas hapi karrierën që do ta kthente në një prej figurave më të njohura të komedisë dhe Hollywood-it.
Gjatë intervistës, Hart foli edhe për takimin me themeluesin e Amazon, Jeff Bezos, duke shpjeguar se sa e rëndësishme është të jesh gjithmonë i gatshëm për të kapur mundësitë që të shfaqen.
Kjo është vendimtare. Mendoj se marrëdhëniet janë çelësi i gjithçkaje që bëni
-tha ai.
Sipas Hart, njerëzit duhet të kuptojnë rëndësinë e mënyrës se si prezantohen dhe të mos e nënvlerësojnë asnjë takim, pavarësisht se kush ndodhet përballë tyre.
Nëse ju jepet mundësia të prezantoni veten, jini profesionistë dhe tregoni respekt, por edhe ambicie. Shfrytëzojeni atë mundësi, pavarësisht se me kë keni të bëni
-këshilloi ai.
Komediani pranoi se nuk ka frikë të takojë njerëz të rinj dhe nuk e shqetëson ideja për të qenë “personi më pak i ditur në dhomë”, për sa kohë që mund të mësojë diçka.
Nuk dua të humbas momente që ndoshta nuk do të më jepen më kurrë
-u shpreh Hart.
Pas vitesh bashkëpunimi me disa prej njerëzve më të suksesshëm në botë, Hart beson se një prej tipareve që i bashkon ata është gatishmëria për të bashkëpunuar.
Ekziston një tren në të cilin të gjithë ata nuk kanë frikë të hipin. Për të bërë para serioze, nevojiten partneritete dhe bashkëpunim me njerëz që tashmë kanë përvojë dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë
-shpjegoi ai.
Sipas tij, suksesi nuk varet vetëm nga shpikja e vazhdueshme e ideve të reja, por edhe nga aftësia për të përdorur njohuritë, burimet dhe eksperiencën që njerëzit e tjerë kanë ndërtuar.
Nuk bëhet fjalë që vazhdimisht të shpikësh diçka të re. Askush nuk nis çdo herë nga zero. Ata përdorin burimet e të tjerëve. Nëse unë mund të të ndihmoj ty dhe ti mund të më ndihmosh mua, rezultati për të dy mund të jetë shumë më i madh falë asaj që secili prej nesh ka ndërtuar tashmë
-tha Hart.
Ai shtoi se njerëzit më të suksesshëm nuk kanë frikë të bëjnë biznes me persona që kanë njohuri dhe ide të mira.
Miliarderët dhe multimilionerët nuk ngurrojnë të bëjnë biznes me njerëz që punojnë me zgjuarsi
-përfundoi ai.
Vlera e saktë e pasurisë së Kevin Hart nuk është bërë publike, ndonëse vlerësime të ndryshme online e vendosin atë në qindra miliona dollarë.
Gjatë një interviste në emisionin “360 With Speedy”, prezantuesi i përmendi një vlerësim prej rreth 400 milionë dollarësh, por Hart e mohoi.
I pyetur nëse kjo shumë ishte të paktën përafërsisht e saktë, ai u përgjigj:
Është shumë larg.
Aktori nuk tregoi se sa është realisht pasuria e tij, duke e çuar bisedën përtej shifrave dhe parave. Për Hart, pasuria e vërtetë nuk matet vetëm me atë që ke në bankë.
Mendoj se vlera e vërtetë qëndron te lumturia
-përfundoi Hart.
Nga një krevat marinari në korridor te një biznes që shtrihet përtej Hollywood-it, Hart duket se e sheh rrugëtimin e tij jo vetëm si një histori suksesi financiar, por si një dëshmi të fuqisë së kontakteve, bashkëpunimit dhe gatishmërisë për të mos humbur asnjë mundësi.


