Eros Ramazzotti ka detyruar të shtyjë një pjesë të turneut të tij botëror “Una Storia Importante World Tour”, pasi iu nënshtrua një operacioni në kordat vokale.
Këngëtari italian ka bërë të ditur se ndërhyrja kirurgjikale ka kaluar me sukses dhe ka falënderuar fansat për mesazhet dhe mbështetjen e tyre.
Megjithatë, mjekët i kanë rekomanduar një periudhë disa mujore rehabilitimi, gjatë së cilës Ramazzotti nuk do të mund të zhvillojë prova dhe as të rikthehet menjëherë në skenë.
Për këtë arsye, koncertet e planifikuara në Amerikën e Veriut dhe Amerikën e Jugut janë shtyrë për vitin 2027.
Ramazzotti u ka premtuar fansave se do të rikthehet në skenë më i fortë dhe me edhe më shumë energji, duke u shprehur mirënjohës për durimin dhe mbështetjen e tyre.
Ky nuk është problemi i parë shëndetësor që ka prekur zërin e këngëtarit. Edhe në vitin 2019, ai u detyrua të ndërpriste përkohësisht turneun pasi iu nënshtrua një tjetër ndërhyrjeje në kordat vokale.
Sipas planit të ri, Ramazzotti pritet të rikthehet në skenë më 1 prill 2027 në Luksemburg, ndërsa koncertet e shtyra në Amerikën e Veriut dhe Jugut do të zhvillohen nga 24 shtatori deri më 9 nëntor 2027.
Për një artist që e ka ndërtuar karrierën mbi zërin e tij karakteristik, rehabilitimi do të jetë një periudhë e rëndësishme përpara rikthimit në skenë.


