Policia e Kosovës ka reaguar lidhur me largimin nga puna të togerit policor Arben Visoqi, një ditë pasi ai bëri të ditur se pas 26 vitesh shërbim është larguar nga Policia e Kosovës.
Ai kishte deklaruar po ashtu se ndaj tij ishte iniciuar një procedurë disiplinore pas një ankese anonime dhe kishte pretenduar edhe për hakmarrje për shkak të raporteve sinjalizuese që, sipas tij, kishte bërë ndaj zyrtarëve brenda Policisë.
Por Policia e Kosovës, përmes një komunikate, ka dhënë versionin e saj për arsyet e largimit të tij.
Sipas Policisë, ndaj Visoqit janë iniciuar gjithsej 15 raste disiplinore, prej të cilave 13 janë trajtuar në nivel qendror dhe dy në nivel rajonal.
Policia thotë se tri prej këtyre rasteve kanë të bëjnë me shkrime dhe komente në rrjete sociale, ku në total janë shqiptuar gjashtë masa disiplinore.
“Nga 15 raste të iniciuara, 3 prej tyre kanë pasur të bëjë me shkrime dhe komente në rrjete sociale, ku në total janë shqiptuar 6 masa disiplinore ,duke përfshirë edhe rastin e fundit në gusht 2026, Ndërprerje e Marrëdhënies së Punës me vendim të PK-së. Në 3 rastet e trajtuara që kanë të bëjnë me rrjetet sociale, janë shqiptuar masat;
– Ndalesë në pagë 30% për 2 muaj, e iniciuar në vitin 2016 dhe shqiptuar masa po ashtu në vitin 2016. \
– Ndalesë në pagë 30% për 6 muaj, e iniciuar në vitin 2025 dhe shqiptuar masa në vitin 2026.
-“Ndërprerje e marrëdhënies së punës”, e iniciuar në vitin 2026 dhe shqiptuar masa po ashtu në vitin 2026”, thotë Policia, transmeton Klankosova.tv.
Policia thotë se Visoqi, sipas tyre, ka vazhduar me të njëjtat shkelje, duke vepruar në kundërshtim me procedurat disiplinore.
Sipas komunikatës, shkeljet lidhen me sjellje të rëndë diskredituese, mosbindje të rëndë dhe shkelje të rëndë të autorizimit, përfshirë publikimin, shpërndarjen apo komentimin e postimeve, fotografive, videove dhe incizimeve që, sipas Policisë, dëmtojnë imazhin e institucionit.
“Mirëpo meqë zyrtari ka vazhduar me shkeljet e njëjta duke rënë në kundërshtim me procedurat e parapara ligjore, Udhëzimin Administrativ me nr. 04/2019, për Shkeljet, Masat dhe Procedurat Disiplinore në Policinë e Kosovës, Neni 20. Sjellja e rëndë diskredituese, paragrafi 1, pika 1.14. Sillet në mënyrë të tillë duke dëmtuar imazhin e Policisë së Kosovës gjatë kryerjes së detyrës apo jashtë saj; Neni 21 Mosbindja e rëndë, paragrafi 1, nen. par. 1.13. Me veprim apo mosveprim, nuk zbaton apo nënvlerëson urdhrat apo udhëzimet nga autoriteti i nivelit qendror; dhe Neni 24 Shkelja e rëndë e autorizimit paragrafi 1, nen. para. 1.17 Publikon, shfaq, shpërndan apo komenton postime, fotografi, video dhe incizime që dëmtojnë imazhin e Policisë”, thuhet tutje në komunikatë.
Ndërkohë, lidhur me vendimin për largimin nga puna, Policia bën të ditur se palëve u është dhënë mundësia për ankesë në gjykatën kompetente.
“Lidhur me vendimet PK-së, palëve iu jepet këshillë juridike për të drejtë të ankesës në gjykatën kompetente”.
Visoqi, në reagimin e tij të djeshëm, kishte deklaruar se do t’i adresojë pretendimet e tij në rrugë ligjore, duke thënë se tani i mbetet ta mbrojë të drejtën e tij në gjykatë dhe në instanca të tjera.
Arben Visoqi është po ashtu dhëndër i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, lidhje familjare të cilën ai vetë e përmendi në reagimin e tij. /Klankosova.tv
Pas 26 vitesh në polici, dhëndrri i Hashim Thaçit largohet nga puna: Do ta mbaj kokën lart


