Cristiano Ronaldo dhe Georgina Rodriguez kanë kurorëzuar martesën në një ceremoni tejet private, të zhvilluar më 11 gusht në Portugali, ndërsa detaje të reja rreth ditës së tyre të veçantë kanë nisur të bëhen publike.
Sipas gazetës portugeze Jornal de Noticias, ceremonia u zhvillua në një vilë luksoze në Cascais, me vlerë rreth 35 milionë euro, në pronësi të çiftit. Në dasmë morën pjesë vetëm pak persona, mes tyre katër dëshmitarë dhe pesë fëmijët e çiftit.
Një ditë para ceremonisë, më 10 gusht, Ronaldo dhe Georgina firmosën edhe marrëveshjen paramartesore në Lisbonë. Çifti ka zgjedhur regjimin e ndarjes së pasurisë, ndërsa të dy kanë vendosur të ruajnë mbiemrat që kishin para martesës.
Ceremonia u drejtua nga Maria Manuel Ferreira de Campos Folhadela de Oliveira, zyrtare e ardhur nga Porto.
Mes të ftuarve ishin Ivana Rodriguez, motra e Georginës, dhe Miguel Paixao, një nga miqtë më të vjetër të Ronaldos. Në ceremoni morën pjesë edhe argjendari spanjoll Jose Rodriguez Sangil dhe bashkëshortja e tij, Monica Gonzalez Martinez.
Familja e Ronaldos mungoi në ceremoni. Nëna e futbollistit, Dolores Aveiro, nuk ishte e pranishme, por reagoi në rrjetet sociale ndaj postimit të djalit të saj, duke lënë një zemër.
Dasma është zhvilluar larg vëmendjes së mediave, me një numër shumë të kufizuar të ftuarish dhe në një prej pronave luksoze të çiftit, duke e bërë ceremoninë një nga momentet më private të jetës së Ronaldos dhe Georginës.


