Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar padinë e veteranit Agim Pllashnikut ndaj Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër-Lepenc” dhe ka vlerësuar të kundërligjshëm vendimin për ndërprerjen e marrëdhënies së tij së punës.
Me aktgjykimin e 28 korrikut 2026, gjykata ka anuluar vendimet e ndërmarrjes për ndërprerjen e marrëdhënies së punës dhe ka obliguar “Ibër-Lepencin” ta kthejë Pllashnikun në vendin e punës “Zyrtar i Autoparkut”, në kushtet e kontratës së tij të punës, transmeton Klankosova.tv.
Sipas aktgjykimit të cilin e ka siguruar Klan Kosova, ndërmarrja është obliguar t’i paguajë Agim Pllashnikut pagat e papaguara për periudhën 31 korrik 2025 deri më 16 prill 2026, në shumën prej 8,647.81 euro, bashkë me kamatën ligjore prej 8 për qind dhe detyrimet për kontributet pensionale e tatimin.
Gjykata ka urdhëruar gjithashtu pagesën prej 1,163.25 euro për çdo muaj nga dita e nxjerrjes së aktgjykimit deri në ekzekutimin e tij.
Në arsyetimin e saj, gjykata ka konstatuar se nuk janë dëshmuar në mënyrë të mjaftueshme shkeljet disiplinore të pretenduara nga punëdhënësi dhe se nuk janë respektuar në tërësi procedurat ligjore për ndërprerjen e marrëdhënies së punës.
“Ibër-Lepenc” është obliguar po ashtu t’i paguajë paditësit 748 euro për shpenzimet e procedurës kontestimore./Klankosova.tv


