Me rastin e 25-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, tha se marrëveshja është themeli i paqes, bashkëjetesës dhe të ardhmes demokratike të vendit.
Filipçe theksoi se Maqedonia është një shtëpi e përbashkët për të gjithë qytetarët dhe se diversiteti duhet të jetë forcë, jo një mjet për përçarje politike dhe përhapje urrejtjeje.
“Sot shënojmë 25 vjet që nga nënshkrimi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, e cila i dha fund konfliktit të armatosur në vitin 2001 dhe konfirmoi integritetin territorial dhe të ardhmen demokratike të Maqedonisë. Forca më e madhe e vendit tonë është pikërisht se është një shtëpi e përbashkët për maqedonasit, shqiptarët, turqit, serbët, vllehët, romët, boshnjakët dhe të gjithë qytetarët tanë të tjerë. Dallimet janë pjesë e shoqërisë sonë dhe është detyrimi ynë t’i vlerësojmë ato si vlerë dhe të mos i përdorim për ndarje politike”.
“Marrëveshja Kornizë e Ohrit është një kujtesë se paqja, dialogu dhe kompromisi janë gjithmonë më të forta se konflikti, ndarjet dhe urrejtja. Pas 25 vitesh, të gjithë kemi detyrë të ndërtojmë të ardhmen e Maqedonisë përmes bashkëjetesës, barazisë dhe respektit të ndërsjellë – dhe jo përmes ndarjeve, fyerjeve dhe urrejtjes”, tha Filipçe.


