Prej dy ditësh digjet masivi me pishë të zezë dhe bredh në Parkun Kombëtar të Lurës, në Dibër. Gjatë natës, zjarri ka avancuar drejt zonës së banuar. Era e fortë dhe terreni i thyer e vështirësojnë ndërhyrjen. Shqetësimi është shtuar nga afërsia e flakëve me disa banesa, ndaj zjarrfikësit kanë krijuar perimetrin e sigurisë në fshatin Gurë-Lurë.
Mëngjesin e sotëm nisi ndërhyrja nga ajri me 2 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”.
Në Drenie të Patosit, gjatë mbrëmjes së kaluar flakët dolën jashtë kontrollit dhe iu afruan banesave. Veç forcave zjarrfikëse, ditën e djeshme ndërhynë edhe 2 avionë. Tani zjarri po mbahet nën monitorim.
Në Krujë vijojnë operacionet në lagjen Abaze dhe në zonën Krastë–Halil. Vatra në Abaze është izoluar falë ndërhyrjes me helikopter, duke u lokalizuar në zonën e quajtur Kroi i Madh.
As vatrat në Dajt e Priskë si dhe ato në Nemërçkë e malin Dhëmbel në Përmet s’paraqesin rrezik. Gjithashtu është shuar vatra në “Lëndinën e Madhe”, mbi fshatin Sinicë në Devoll, por po mbahet në monitorim për çdo riaktivizim të mundshëm.
Në mbarë vendin janë angazhuar 395 forca operacionale, 167 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor” dhe 41 automjete zjarrfikëse. Në total, mbeten aktive 8 vatra zjarri nga 25 të raportuara.


