Qyteti me më shumë traditë futbollistike në Itali, me 2 prej skuadrave më fituese dhe më të njohura në mbarë botën mund të mos jetë mes vendeve pritëse të Euro 2032, një kompeticion që Italia do ta organizojë në bashkëpunim me Turqinë. Problemi në këtë pikë qëndron te dosja për stadiumin e kryeqendrës lombarde e cila ka ngjallur shqetësim në ambientet e Federatës Italiane të Futbollit që për momentin nuk ia siguron Milanos një vend mes 5 qyteteve italiane të Euro 2032.
Impianti i vjetër ‘Giuseppe Meazza’ është jashtë gare, kështu që i gjithë përqendrimi do të jetë te San Siro i ri. Projekti nuk është në diskutim, por afati i ndërtimit të tij, po. Parashikimi për mbylljen e punimeve në 2031(datë e kërkuar nga UEFA) duket të jetë rigoroz, pasi edhe ndryshimi më i vogël i programit mund të rezultojë vendimtar për kandidaturën e Milanos si në aspektin pozitiv ashtu edhe atë negativ.
Rrugëtimi është i gjatë dhe pengesat nuk do të mungojnë; do të duhet të kalohet përmes prezantimit, Planit të Zbatimit, fazës së paraqitjes së vërejtjeve dhe studimit të impaktit ambiental përpara se të jepet miratimi për Planin e Zbatimin dhe si rrjedhojë edhe nisja e punimeve të parashikuara për në 2028. Në këtë pikë në Milano duhet të përshpejtohen hapat, edhe sepse në 1 tetor, FIGC do të duhet t’i japë UEFA emrat e 5 qyteteve dhe stadiumet e tyre kandidate(me mundësinë për të përfshirë ndonjë rezervë).
Roma do të ketë dy kandidatura të shumë të forta; atë të Olimpico që është për t’u ristrukturuar dhe atë të stadiumit të ri në Pietralata, procedurat e të cilit janë 1 vit përpara në krahasim me ato të San Siros. Përveç kryeqytetit italian, në lista vazhdon të jetë e gjatë; Juventus Stadium është i sigurt që do të jetë mes emrave që do t’i dërgohet UEFA, në Napoli dhe Firenze janë gati të bëjnë ndërhyrje të rëndësishme ristrukturimi dhe më pas janë Palermo, Bologna, Bari, Genova, Lecce, Salerno, Torino e Verona, të gjitha këto me projekte që nuk duhen nënvlerësuar.


