Brad Pitt ka folur hapur për një nga periudhat më të dhimbshme të jetës së tij, duke zbuluar se gjatë një krize të rëndë familjare ka përjetuar mendime vetëvrasëse.

Aktori 62-vjeçar e bëri rrëfimin në një intervistë për “Esquire”, ku sqaroi se nuk kishte pasur tentativa apo synim konkret për të vepruar ndaj këtyre mendimeve. Megjithatë, dhimbja që po përjetonte në atë periudhë ishte aq e fortë, sa për një moment nuk arrinte të shihte një mënyrë për të dalë prej saj.
Thjesht nuk shihja një rrugëdalje. Dhimbja ishte aq shtypëse
-rrëfeu Pitt.

Kur u pyet nëse bëhej fjalë për problemet e tij familjare, aktori e konfirmoi. Marrëdhëniet e tij me disa prej fëmijëve që ka me ish-bashkëshorten Angelina Jolie kanë qenë prej vitesh në qendër të vëmendjes.
Së fundmi, vajza e tyre Vivienne, 18 vjeçe, ka kërkuar të heqë mbiemrin “Pitt” nga emri i saj, duke ndjekur një vendim të ngjashëm të marrë më herët nga disa prej vëllezërve dhe motrave të saj.
Pitt foli gjithashtu për një tjetër humbje të madhe personale: vdekjen e nënës së tij, Jane, e cila ndërroi jetë vitin e kaluar në moshën 84-vjeçare.

Aktori e përshkroi pikëllimin si një ndjenjë që lë pas një boshllëk të madh, por që me kalimin e kohës mund të sjellë edhe një lloj bukurie të dhimbshme.
Pikëllimi, nëse i mbijeton, lë një vrimë të madhe, por lë edhe një bukuri të thellë. Është një bukuri që dhemb, por është bukuri
-u shpreh ai.
Brad Pitt dhe Angelina Jolie u njohën gjatë xhirimeve të filmit “Mr. & Mrs. Smith” në vitin 2005 dhe u martuan në vitin 2014. Çifti ka gjashtë fëmijë, tre prej të cilëve janë biologjikë dhe tre të adoptuar.
Rrëfimi i Pitt vjen si një reflektim i rrallë mbi ndikimin që humbjet, konfliktet familjare dhe periudhat e vështira emocionale mund të kenë edhe te njerëzit që jetojnë nën vëmendjen e vazhdueshme të publikut.


