Shkencëtarët kanë analizuar nëse mëngjesi ndikon vërtet në shëndetin dhe ushqyerjen tonë, dhe rezultatet tregojnë se mund të ketë përfitime të rëndësishme, sidomos për adoleshentët, ka shkruar Food&Wine.
Një studim i prezantuar në konferencën “Nutrition 2026” ka zbuluar se të rinjtë që zakonisht nuk hanin mëngjes dhe filluan ta përfshinin atë në rutinën e tyre, morën më shumë fibra, hekur, zink dhe kolinë gjatë ditës, ani pse sasia totale e kalorive mbeti pothuajse e njëjtë.
Përfitimet më të mëdha u panë te ata që hanin mëngjes të pasur me proteina.
Studiuesit ndoqën 128 adoleshentë nga mosha 14 deri në 21 vjeç, të cilët zakonisht e anashkalonin mëngjesin. Ata u ndanë në tri grupe: një grup vazhdoi pa mëngjes, një grup hante mëngjes me rreth 15 gramë proteina dhe një grup hante mëngjes me 30 gramë proteina.
Gjatë studimit, studiuesit përgatitën mijëra vakte me ushqime të zakonshme për të rinjtë, si vezë, ushqime me djathë dhe lëngje të përgatitura në shtëpi.
Rezultatet treguan se të dy grupet që filluan të hanin mëngjes konsumuan më pak ëmbëlsira, karamele dhe sheqer gjatë pjesës tjetër të ditës. Grupi me më shumë proteina pati uljen më të madhe të konsumit të sheqerit të shtuar.
“Rezultatet tona sugjerojnë se shtimi i mëngjesit, sidomos një mëngjesi i pasur me proteina, mund të jetë një mënyrë efektive për të përmirësuar marrjen e lëndëve ushqyese dhe cilësinë e ushqyerjes te adoleshentët”, ka thënë Emma Rose Brown, autorja kryesore e studimit.
Ajo ka theksuar gjithashtu se, edhe pse shumë njerëz besojnë se mëngjesi është vakti më i rëndësishëm i ditës, deri tash nuk ka pasur shumë prova të forta shkencore për këtë.
“Ne donim të shihnim nëse një mëngjes me shumë proteina mund të rriste marrjen e ushqyesve dhe të ndikonte në zgjedhje më të shëndetshme ushqimore gjatë gjithë ditës”, ka thënë ajo.
Megjithatë, studiuesit paralajmërojnë se kërkimi ende nuk është publikuar në një revistë shkencore pas procesit të rishikimit nga ekspertë, ndaj nevojiten më shumë studime.
Studime të tjera kanë sugjeruar gjithashtu se ngrënia e rregullt e mëngjesit mund të lidhet me shëndet më të mirë të trurit dhe rrezik më të ulët të problemeve njohëse me kalimin e moshës.


