Videoklipi i ri i Ariana Grandes për këngën “Petal” po vazhdon të dominojë diskutimet në rrjetet sociale, ku fansat po analizojnë çdo skenë dhe simbolikë, duke e cilësuar si një nga projektet më personale të artistes.

Këngëtarja 33-vjeçare shfaqet në videoklip në rolin e Pepper, një artiste e re që përballet vazhdimisht me refuzime dhe kritika gjatë audicioneve. Personazhi i saj etiketohet si “jo mjaftueshëm e mirë”, “jo autentike” dhe “e papërshtatshme për tregun”, përpara se historia të marrë një kthesë dramatike.

Një nga skenat që ka tërhequr më shumë vëmendje është momenti kur Pepper rikthehet me një sharrë elektrike dhe përballet me kritikët e saj.

Sipas shumë fansave, kjo nuk përfaqëson dhunë reale, por simbolizon revoltën e Ariana Grandes ndaj presionit, gjykimeve dhe standardeve të industrisë së argëtimit.

Në rrjetet sociale, shumë ndjekës besojnë se personazhet që gjykojnë Pepper përfaqësojnë jo vetëm drejtuesit e industrisë së muzikës, por edhe publikun dhe komentet e vazhdueshme që artistja ka marrë ndër vite për pamjen, jetën private dhe karrierën e saj.

Videoklipi ka nxitur gjithashtu diskutime të reja për paraqitjen fizike të këngëtares, me një pjesë të fansave që kanë shprehur shqetësim për shëndetin e saj, ndërsa të tjerë kanë bërë thirrje që fokusi të mbetet te mesazhi artistik dhe jo te pamja e saj.

Vetë Ariana Grande ka folur edhe më parë për presionin që sjell fama dhe komentet mbi trupin e saj, duke u bërë thirrje njerëzve të shmangin gjykimet për pamjen fizike të të tjerëve.

Për shumë fansa, “Petal” është pikërisht një përgjigje artistike ndaj kritikave dhe një reflektim mbi anën e errët të famës.



