Një foshnjë është operuar me sukses ndërsa ndodhej ende në barkun e nënës. Mjekët korrigjuan një defekt të rëndë të lindjes dhe sot Theo është pesë muajsh e po zhvillohet normalisht.
Mjekët kanë korrigjuar me sukses një defekt të rëndë të lindjes te një foshnjë, ndërsa ajo ndodhej ende në barkun e nënës, përmes një ndërhyrjeje të pazakontë kirurgjikale.
Nëna, Maisie Savage nga Londra, iu nënshtrua operacionit në Shtetet e Bashkuara kur ishte në javën e 26-të të shtatzënisë. Foshnja, Theo, vuante nga gastroskiza, një defekt ku kërthiza nuk zhvillohet siç duhet dhe zorrët rriten jashtë barkut.
Gjatë procedurës, mjekët ekspozuan pjesërisht mitrën dhe, përmes kirurgjisë me prerje minimale, rikthyen me kujdes organet e foshnjës brenda abdomenit, përpara se ta mbyllnin hapjen.
Theo u bë foshnja e tretë në botë që përfiton nga kjo provë klinike e llojit të parë. Sot ai është pesë muajsh dhe po zhvillohet normalisht.
Rasti i tij konsiderohej i rëndë, pasi gastroskiza komplekse mund të kërkojë muaj të tërë në terapi intensive, disa operacione dhe ushqyerje intravenoze për periudha të gjata. Në rastet më të rënda, rreziku për jetën mbetet i lartë.
Para ndërhyrjes, familja udhëtoi fillimisht në Belgjikë, ku mjekët i injektuan Botox fetusit për të relaksuar muskujt e barkut dhe për ta bërë operacionin më të lehtë. Më pas, procedura u krye në Spitalin e Fëmijëve të Teksasit.
Operacioni përfundoi pa komplikacione dhe shtatzënia vijoi edhe për 14 javë. Theo lindi në shkurt, përmes lindjes natyrale.
Mjekët shpresojnë që, nëse prova klinike vijon me sukses, kjo teknikë të përdoret më gjerësisht edhe në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas tyre, kirurgjia brenda mitrës mund të hapë rrugën edhe për trajtime të tjera të zemrës dhe mushkërive te fetusi.


