Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi se ka vendosur të anulojë sulmet e planifikuara amerikane ndaj Iranit, me kusht që të arrihet sa më shpejt një marrëveshje me Teheranin.
Deklarata e tij erdhi vetëm pak orë pasi mediat amerikane raportuan se Uashingtoni po shqyrtonte mundësinë e ndërmarrjes së sulmeve të reja ndaj Republikës Islamike.
Në një postim në platformën Truth Social, Trump shkroi se Shtetet e Bashkuara janë plotësisht të përgatitura për të vepruar ushtarakisht kundër Iranit, por ka pranuar një kërkesë nga Teherani dhe vende të tjera të Lindjes së Mesme për të shtyrë çdo operacion, pasi sipas tij janë dakordësuar parametrat bazë të një marrëveshjeje.
“Pranova të anuloj sulmin, me kusht që të arrijmë shpejt një marrëveshje”, deklaroi Trump.

Sipas presidentit amerikan, marrëveshja do të përfshijë hapjen e menjëhershme dhe të plotë të Ngushticës së Hormuzit, si edhe eliminimin e kërcënimit bërthamor të Iranit.
Ai shtoi se edhe Izraeli mbështet këtë angazhim dhe u bëri thirrje të gjitha palëve të përfundojnë negociatat sa më parë.
Deklarata e Trump vjen në një moment tensionesh të larta në Lindjen e Mesme. Më herët, Teherani akuzoi Shtetet e Bashkuara për përshkallëzim të situatës dhe paralajmëroi se çdo shtet që bashkëpunon ushtarakisht me Uashingtonin do të përballet me pasojat e luftës.
Ndërkohë, administrata amerikane u ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë që ndodhen në Lindjen e Mesme të tregojnë kujdes të shtuar dhe të jenë të gatshëm të largohen nga rajoni në rast të një përshkallëzimi të mëtejshëm të krizës.









