Kim Kardashian ka tërhequr vëmendjen jo vetëm me fotografitë e publikuara nga pushimet e saj në liqen, ku u shfaq me bikini të zeza, por edhe me një vendim të papritur në një çështje gjyqësore që kishte zgjatur prej muajsh.
Sipas raportimeve të TMZ, ylli i reality show ka vendosur të mos kërkojë pagesën e 167 mijë dollarëve që Ivan Cantu ishte urdhëruar nga gjykata t’i paguante si kompensim për shpenzimet ligjore.

Konflikti mes palëve nisi në shkurt të vitit 2024, kur Kardashian publikoi gabimisht në rrjetet sociale fotografinë e Ivan Cantu-t, duke e identifikuar si një të dënuar me vdekje. Në fakt, ajo synonte të sensibilizonte opinionin publik për një person tjetër me të njëjtin emër.
Pas publikimit, Cantu ngriti padi ndaj Kardashian, duke pretenduar se gabimi i kishte dëmtuar reputacionin dhe i kishte shkaktuar shqetësime serioze emocionale, përfshirë ankthin dhe depresionin.

Megjithatë, gjykata vendosi në favor të Kim Kardashian, duke rrëzuar padinë dhe duke urdhëruar paditësin të mbulonte shpenzimet ligjore të saj.

Sipas raportimeve më të fundit, çështja është mbyllur me një marrëveshje private mes palëve. Avokatët e Kardashian konfirmuan se ajo ka hequr dorë nga e drejta për të kërkuar shumën prej 167 mijë dollarësh, ndërsa Ivan Cantu ka tërhequr përfundimisht padinë.

Vendimi i Kim është komentuar gjerësisht në media, pasi i jep fund një procesi ligjor që kishte tërhequr vëmendje të madhe që prej nisjes së tij.


