Priscilla Presley është rikthyer në qendër të vëmendjes me një paraqitje të veçantë gjatë një eventi luksoz të organizuar në Majorka, ku u shfaq elegante dhe në formë të admirueshme.
Ish-bashkëshortja e ikonës së rock ‘n’ roll-it, Elvis Presley, mori pjesë në edicionin e 14-të të Remus Lifestyle Night, të zhvilluar në hotelin Hilton Mallorca Galatzo. Për këtë mbrëmje, 81-vjeçarja zgjodhi një fustan të gjatë të kuq në linjë A, të cilin e kombinoi me një çantë në të njëjtën ngjyrë, duke tërhequr menjëherë vëmendjen e të pranishmëve.

Pamja e saj elegante dhe rinore u komentua gjerësisht, ndërsa eventi mblodhi emra të njohur nga fusha të ndryshme për një mbrëmje të dedikuar stilit të jetesës, luksit dhe argëtimit.
Kjo ishte një nga daljet e rralla publike të Priscilla Presley, pas vizitës së saj në Danimarkë gjatë muajit mars.
Edhe pse kanë kaluar dekada nga ndarja me Elvis Presley, ajo mbetet një nga figurat më të rëndësishme të lidhura me trashëgiminë e artistit legjendar dhe historinë e familjes Presley.

Priscilla dhe Elvis u martuan në Las Vegas në vitin 1967, ndërsa pesë vite më vonë vendosën t’i jepnin fund martesës. Divorci i tyre u finalizua në vitin 1973. Nga kjo martesë lindi vajza e tyre e vetme, Lisa Marie Presley, e cila ndërroi jetë në vitin 2023 në moshën 54-vjeçare.
Në muajt e fundit, Priscilla ka folur hapur edhe për dhimbjen e humbjes së së bijës, duke pranuar se largimi i Lisa Marie ka lënë një boshllëk të madh dhe ka prekur thellë gjithë familjen Presley.


