Influencuesja amerikane Emilie Kiser ka reaguar publikisht pas valës së kritikave që mori në rrjetet sociale, pasi në një video të realizuar gjatë pushimeve në Mallorca, djali i saj 16-muajsh, Teddy, u pa në një varkë pa jelek shpëtimi.

Pamjet, të cilat u fshinë më vonë, ngjallën reagime të shumta, sidomos për shkak të historisë së dhimbshme të familjes. Vetëm pak më shumë se një vit më parë, Emilie humbi djalin e saj të madh, Trigg, i cili ndërroi jetë në moshën 3-vjeçare pas një aksidenti me mbytje.
Përmes një postimi në Instagram, 27-vjeçarja pranoi se familja e saj kishte gabuar dhe se Teddy duhej të kishte mbajtur jelekun e shpëtimit gjatë gjithë kohës që ndodhej në varkë.
Fëmija ynë duhej të kishte qenë me jelek shpëtimi gjatë gjithë udhëtimit. Duhej të kishim bërë më mirë
-shkroi ajo.

Emilie tha se e kupton reagimin e ndjekësve dhe pranoi se kritikat vijnë edhe si pasojë e dhimbjes që shumë njerëz ndjejnë për humbjen e Trigg.
Trigg ishte vetëm tre vjeç dhe duhej të kishte pasur një jetë të gjatë përpara. Ky është një realitet me të cilin ne jetojmë çdo ditë
-u shpreh ajo.

Influencuesja shtoi se kjo ngjarje i ka shërbyer si një kujtesë e fortë dhe premtoi se do të vazhdojë të mësojë nga gabimet, duke promovuar rëndësinë e sigurisë në ujë, një kauzë për të cilën është angazhuar që pas humbjes së djalit të saj.
Trigg humbi jetën në maj të vitit 2025, pas një aksidenti në pishinën e banesës së familjes në Arizona, një tragjedi që ndryshoi përgjithmonë jetën e Emilie Kiser dhe familjes së saj.









