Influencuesja e njohur amerikane Alix Earle ka ndarë një rrëfim të sinqertë për vështirësitë me shëndetin e saj mendor, duke zbuluar se presioni i vazhdueshëm dhe kritikat në rrjetet sociale e çuan deri në përjetimin e një sulmi paniku.
25-vjeçarja publikoi një video në TikTok, ku u shpjegoi ndjekësve se kishte vendosur të bënte një pauzë nga rrjetet sociale për t’u përqendruar te mirëqenia e saj mendore.
Sipas Earle, dikur ishte mësuar me komentet negative dhe i konsideronte ato si pjesë të jetës së një figure publike. Megjithatë, ajo tha se kohët e fundit situata është përkeqësuar ndjeshëm.
Çdo gjë që bëj, mënyra si dukem, me kë shoqërohem apo çfarë them, analizohet dhe kritikohet
-u shpreh influencuesja.
Ajo zbuloi se javën e kaluar përjetoi një sulm paniku gjatë një udhëtimi me avion, një moment që e bëri të kuptonte se kishte nevojë të largohej përkohësisht nga presioni i vazhdueshëm online.
Earle shtoi se ndien sikur shumë njerëz përpiqen të gjejnë domethënie të fshehta ose probleme në çdo postim të saj, duke e kthyer çdo situatë në objekt kritikash dhe interpretimesh.
Për t’u shkëputur nga kjo atmosferë, ajo kaloi disa ditë me miqtë në Miami, por vendosi të mos publikojë vlog-un e atij udhëtimi.
Sipas saj, kishte filluar të analizonte në mënyrë të tepruar çdo detaj të vetes dhe kjo nuk po i bënte mirë.
Megjithatë, Alix theksoi se e dashuron punën si krijuese e përmbajtjes dhe nuk dëshiron që komentet negative ta bëjnë të humbasë besimin në veten apo ta urrejë atë që është.
Rrëfimi i saj u prit me mbështetje të madhe nga ndjekësit, të cilët e inkurajuan të vazhdojë të kujdeset për shëndetin e saj mendor dhe t’i japë përparësi mirëqenies personale.









