Meghan Markle rrit shikueshmërinë e MasterChef Australia, por paraqitja e saj ndez debat?

featured

Paraqitja e Meghan Markle si e ftuar speciale në edicionin australian të “MasterChef” ka rezultuar një sukses i madh për audiencën e emisionit, edhe pse ka nxitur reagime të ndara mes shikuesve.

Dukesha e Sussex-it u shfaq si gjyqtare e ftuar në episodin e transmetuar të dielën, ku konkurrentët u sfiduan të përgatisnin një pjatë “të denjë për një dukeshë”.

Episodi ishte regjistruar në muajin prill, gjatë vizitës së Meghan dhe Princit Harry në Australi. Sipas rrjetit televiziv Network 10, transmetimi u ndoq nga më shumë se 1.5 milionë shikues, duke shënuar rezultatin më të lartë për programin e së dielës që nga korriku i vitit 2023.

Po ashtu, episodi u bë përmbajtja më e ndjekur ndonjëherë në platformat e transmetimit të kompanisë. Sipas metodës australiane të matjes Total TV, e cila përfshin shikueshmërinë në televizion dhe platformat streaming, audienca totale gjatë shtatë ditëve të para arriti në 1.22 milionë, ndërsa krahasuar me të njëjtin episod të vitit të kaluar u regjistrua një rritje prej 16 për qind.

Megjithatë, suksesi në shifra nuk i shmangu debatet. Në rrjetet sociale, shumë përdorues vunë në dyshim zgjedhjen e Meghan si gjyqtare, duke argumentuar se ky rol zakonisht u besohet shefave të kuzhinës ose profesionistëve të gastronomisë.

Një prej komenteve që mori vëmendje shkruante:

Disi më vjen keq për garuesit. Ata erdhën në këtë emision për të mësuar nga profesionistët, ndërsa Meghan nuk është e tillë. Ajo gatuan në shtëpi, ashtu si edhe vetë garuesit.

Nga ana tjetër, shumë shikues e vlerësuan praninë e saj, duke theksuar se qasja e qetë dhe mënyra inkurajuese me të cilën komunikoi me konkurrentët krijoi një atmosferë të ngrohtë dhe pozitive në kuzhinën e “MasterChef”.

Gjatë episodit, Meghan foli edhe për lidhjen e saj të veçantë me gatimin.

Për mua, ushqimi dhe gatimi janë vërtet gjuha e dashurisë. Mendoj se është një mënyrë e mrekullueshme për t’u lidhur me njerëzit. Është diçka emocionale dhe shumë e rëndësishme. Kështu u tregoj miqve, familjes dhe fëmijëve të mi sa shumë i dua

-u shpreh ajo.

Dukesha zbuloi gjithashtu një detaj nga jeta familjare, duke treguar se djali i saj shtatëvjeçar, Archie, dhe vajza pesëvjeçare, Lilibet, janë adhurues të lakrave të Brukselit.

Një nga momentet më të komentuara të episodit ishte videotelefonata me Princin Harry gjatë vlerësimit të pjatave. Meghan e përshëndeti me fjalët:

Përshëndetje, zemër

-përpara se t’ua prezantonte bashkëshortin konkurrentëve dhe gjyqtarëve.

Bashkëshorti im është në linjë

-tha ajo, ndërsa pas përfundimit të bisedës shtoi me humor:

Është vërtet simpatik, apo jo?

Në pamjet e publikuara nga prapaskenat, Meghan shihet duke bashkëbiseduar me konkurrentët dhe gjyqtarët, ndërsa më herët kishte shpjeguar edhe arsyen pse pranoi ftesën për t’u bërë pjesë e emisionit.

Ajo që më tërhoqi ishte kombinimi i dy gjërave që i dua shumë: ushqimi dhe Australia. Pranova menjëherë. Është një emision fantastik dhe është nder i madh të jem këtu për të vlerësuar këto pjata

-deklaroi Meghan Markle.