Aktori i njohur Eric Roberts ka konfirmuar se nuk mori pjesë në dasmën e vajzës së tij, aktores Emma Roberts, e cila kurorëzoi dashurinë me partnerin e saj, Cody John, në një ceremoni intime të zhvilluar gjatë fundjavës në Idaho.
Në mesin e të ftuarve ishin familjarë dhe miq të afërt, si edhe emra të njohur të Hollivudit, përfshirë aktoren Julia Roberts, tezen e Emmës. Megjithatë, mungesa e Eric Roberts në një nga ditët më të rëndësishme të jetës së vajzës së tij nuk kaloi pa u vënë re dhe nxiti reagime në publik.

Pas spekulimeve, aktori reagoi për mediat, duke theksuar se, pavarësisht mungesës së tij në ceremoni, ai e do vajzën dhe e mbështet plotësisht në zgjedhjet që bën në jetë.
Ndërkohë, Emma Roberts nuk ka komentuar publikisht arsyen e mungesës së të atit. Marrëdhënia mes tyre ka qenë prej kohësh e ndërlikuar, edhe pse Eric Roberts ka deklaruar më herët se konfliktet e së kaluarës janë lënë pas. Sipas tij, raporti që kanë sot mbetet kompleks dhe jo gjithmonë i lehtë për t’u kuptuar nga të tjerët.

Një nga momentet më emocionuese të ceremonisë ishte kur Emma u shoqërua drejt altarit nga djali i saj pesëvjeçar, Rhodes Robert Hedlund, duke i dhënë dasmës një prekje të veçantë familjare.

Emma Roberts dhe Cody John u fejuan në korrik të vitit 2024, pas rreth dy vitesh lidhje. Krahas jetës personale, aktorja vazhdon të jetë e angazhuar edhe në karrierë, ndërsa po punon për sezonin e 13-të të serialit të njohur “American Horror Story”.









