Shtetasit tanë që jetojnë në Itali po hasin në problem me patentët e shoferëve. Me ndërrimin e emrit të shtetit, nuk njihen lejet e vozitjes nga shteti italian dhe në mungesë të një marrëveshje të re, shumë mërgimtarë që punojnë atje rrezikojnë të humbasin vendet e punës. Ata që patentën e shoferit e kanë me emrin Maqedonia e Veriut, kanë një vit afat pas leje qëndrimit në Gadishullin Apenin, t’i konvertojnë ato në leje italiane, por kjo është e pamundur pa ujdi të re.
“Pas një muaji e bëj një vit që jetoj si rezident në Itali dhe pastaj nuk kam të drejtë të vozis, të drejtoj makinë e as autobusë, asgjë. Ka gjoba të mëdha, konfiskimin e mjetit që drejton dhe kjo më bën problem se duhet të nis nga fillimi për të gjitha kategoritë që i kam pasur”, theksoi Besir Esati, shtetas i Maqedonisë në Itali.
Rreth 4 mijë qytetarë tanë që jetojnë në Itali kanë këtë problem, të cilët ankesat e tyre i kanë adresuar në Ambasadën e Maqedonisë në Romë. Ndërkohë, disa mërgimtarë po detyrohen të rimarrin na fillimi patentë shoferin në Itali, e cila po u kushton mjaft kohë dhe shpenzime.
“Ambasada e Maqedonisë në Romë ka pranuar, besoj vetëm prej meje çdo dy javë përditësime nëse ka ndonjë ndryshim apo një zgjidhje, unë i thirri rregullisht. Por, paramendojeni 4 mijë persona që e kanë të njëjtin problem që e thirrin Ambasadën dhe na thotë se për momentin nuk mund të konvertohet dhe nuk na cakton asnjë datë se kur do të ketë epilog”, deklaroi Besir Esati, shtetas i Maqedonisë në Itali.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se kanë zhvilluar një takim me përfaqësuesit e Ambasadës së Republikës Italiane në Shkup me qëllim përshpejtimin e të gjithë procesit, i cili është mjaft kompleks, por zotohen që mosmarrëveshjet do të kapërcehen së shpejti.
MINISTRIA PUNËVE TË BRENDSHME:
“Po punojmë për lidhjen e një Marrëveshjeje dypalëshe për njohjen dhe shkëmbimin e lejeve të vozitjes me Republikën e Italisë. Janë duke u zhvilluar negociata për harmonizimin e tekstit të draftit të Marrëveshjes midis dy Qeverive, me Ministrinë e Brendshme që po bën përpjekje të mëdha për ta përfunduar atë sa më shpejt të jetë e mundur, gjë që do të arrinte një zgjidhje afatgjatë për qytetarët tanë që punojnë dhe banojnë në Republikën e Italisë.”
Edhe qytetarët e Maqedonisë që udhëtojnë si turistë për në Itali duhet të kenë një patentë ndërkombëtare ose një përkthim zyrtar në italisht, pasi vetëm patenta e Maqedonisë nuk vlen. Disa turistë kanë raportuar tashmë se kompanitë e makinave me qira kanë refuzuar t’u japin me qira një makinë sepse patenta e tyre nuk është njohur në sistem. Qytetarëve u këshillohet të marrin një patentë ndërkombëtare para se të udhëtojnë në Itali apo edhe në vendet tjera të BE dhe të kontrollojnë kushtet me kompaninë nga e cila planifikojnë të marrin me qira një makinë.









