Barcelona vazhdon ta mbajë Julian Alvarezin si objektivin kryesor për repartin ofensiv, por nuk ka ndërmend të bëjë lëshime financiare për të siguruar transferimin e sulmuesit argjentinas gjatë kësaj vere.
Sipas raportimit të Mundo Deportivo, drejtuesit e klubit katalanas nuk planifikojnë ta rrisin ofertën prej 100 milionë eurosh, ndërsa gjithashtu nuk janë të gatshëm të përfshijnë lojtarë në marrëveshje për ta bindur Atletico Madridin, transmeton Klankosova.tv.
Qëndrimi i Barcelonës mbetet i pandryshuar, pasi klubi beson se nuk duhet të tejkalojë kufijtë financiarë të vendosur për këtë transferim, pavarësisht dëshirës për ta afruar Alvarezin në “Camp Nou”.
Në rast se Atletico Madridi nuk ndryshon qëndrim dhe vazhdon ta refuzojë ofertën aktuale, Barcelona është e gatshme ta nisë sezonin e ri pa një sulmues të ri në skuadër.
Megjithatë, shpresa e katalanasve mbetet që vetë Julian Alvarez të ushtrojë presion për t’u larguar, çka mund të ndikojë në zhvillimet e mëtejshme të negociatave.
Tashmë mbetet të shihet se si do të evoluojë situata rreth sulmuesit argjentinas deri në përfundim të afatit kalimtar të verës, me Barcelonën që nuk pritet të ndryshojë strategjinë e saj në ditët në vijim.



