Gruaja nga Maqedonia me veturë vrau brutalisht një qen në Mal të Zi! Tentoi të arratisej, por u kap në kufi

featured
Press Online
24 Korrik 2026, 22:34

Një grua nga Maqedonia është arrestuar sot në Mal të Zi, pasi u raportua se me automjetin e saj ka shkelur për vdekje një qen në një lagje të Ulqinit. Pas këtij incidenti, sipas burimeve jozyrtare nga policia, ajo është përpjekur të largohet nga Mali i Zi, por është kapur në pikën kufitare, raporton RTCG.

Policia në Ulqin rreth orës 16:00 ka pranuar një denoncim se një person kishte shkelur me automjet një qen që kishte pronar. Shumë shpejt u gjet automjeti dhe u identifikua gruaja që e drejtonte atë, shtetase e Maqedonisë së Veriut, e cila u shoqërua në ambientet e Drejtorisë së Policisë në Ulqin.

Ajo u përpoq të largohej nga vendi, por policia e ndaloi në kufi. Në vendngjarje do të zhvillohet hetim, ndërsa për rastin është njoftuar edhe Prokuroria Themelore Shtetërore (ODT), e cila do të vendosë për veprën penale dhe hapat e mëtejshëm.

Në rrjetet sociale është publikuar një video shqetësuese, e shpërndarë nga Marta Darmanoviq, ku shihet një automjet duke e shkelur një qen të racës Sharplaninac, ndërsa pas automjetit ndodhet edhe një qen tjetër i ngordhur. Sipas informacioneve jozyrtare, bëhet fjalë për qenin e gruas së arrestuar, i cili dyshohet se ishte sulmuar dhe vrarë nga ai qen Sharplaninac.

Organizata joqeveritare “Miqtë e Kafshëve” ka kërkuar reagim të menjëhershëm nga institucionet kompetente, duke kërkuar që personi që ka kryer këtë vepër penale të ndiqet penalisht dhe të dënohet me masën më të rëndë, në përputhje me Ligjin për Mirëqenien dhe Mbrojtjen e Kafshëve.

“Pavarësisht nëse autorët e veprave të tilla penale kundër kafshëve janë shtetas të Malit të Zi apo shtetas të huaj, të gjithë duhet të mbajnë përgjegjësi të barabartë për veprimet e tyre. Prandaj, edhe në këtë rast, kërkojmë që institucionet ta kryejnë punën e tyre në mënyrë profesionale dhe deri në fund, në mënyrë që autori të marrë dënimin e merituar”, thuhet në reagimin e kësaj organizate joqeveritare.

 

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter