Dy vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria dhe Mali i Zi, e kanë vazhduar përparimin e tyre në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE), duke mbyllur kapituj të tjerë negociues të martën në Bruksel.
Shqipëria i mbylli tre kapituj gjatë konferencës të martën: Kapitulli 25 – Kërkimi Shkencor, Kapitulli 26 – Arsimi dhe Kultura dhe Kapitulli 31 – Marrëdhëniet me Jashtë. Ndërsa, Mali i Zi i ka mbyllur përkohësisht dy kapituj: Kapitulli 8 – Konkurrenca dhe Kapitulli 29 – Bashkimi Doganor.
Kjo do të thotë se Mali i Zi tani ka gjithsej 18 kapituj të mbyllur përkohësisht nga gjithsej 33 në procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ndërkohë, për Shqipërinë kjo është hera e parë që mbyll kapituj në rrugën e saj për t’u bërë pjesë e bllokut evropian.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke folur në konferencën në Bruksel, tha se kjo është dëshmi e një “epoke të re” në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.
“Sot e sotmja është e rëndësishme edhe sepse thekson një mesazh të fuqishëm të ashtuquajturës epokë e re. Shqipëria jep rezultate, Bashkimi Evropian jep rezultate. Shqipëria ecën përpara dhe Bashkimi Evropian reagon dhe ky është thelbi i procesit. Proces i bazuar në meritë”, tha Rama.
Irlanda, e cila mban Presidencën e radhës të BE-së deri më 31 dhjetor, e lavdëroi Shqipërinë për këtë arritje dhe tha se mezi pret të punojë më tej me të në rrugën e saj drejt anëtarësimit.
E njohur jozyrtarisht si “Super e marta”, kjo ditë shënon organizimin e numrit më të madh të konferencave ndërqeveritare në më shumë se dy dekada.
Javëve të fundit, institucionet evropiane punuan që në këtë të ashtuquajtur “Super të martë” të mbaheshin pesë konferenca ndërqeveritare.
Ato u përpoqën t’i bindnin shtetet anëtare që edhe Serbia ta hapte klasterin 3 të negociatave po këtë ditë, por nuk u arrit konsensus, pasi për mbajtjen e çdo konference ndërqeveritare kërkohet miratimi unanim i të gjitha shteteve anëtare të BE-së.
Irlanda tha se do t’i vazhdojë përpjekjet për të arritur një konsensus edhe për Serbinë.
“Serbia është vend kandidat për anëtarësim dhe kjo është një çështje për të cilën do të vazhdojmë të diskutojmë me shtetet anëtare. Ka ende punë për t’u bërë, por si ministër irlandez jam i përkushtuar të vazhdojmë dialogun si me shtetet anëtare, ashtu edhe me Serbinë, për të parë se si mund të ecë përpara procesi i saj i anëtarësimit”, tha ministri irlandez për Çështjet Evropiane, Thomas Byrne.
Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, tha se për të ecur përpara në procesin e anëtarësimit, një vend kandidat duhet t’i përmbushë detyrimet e tij.
Ajo tha se Komisioni Evropian duhet t’u argumentojë shteteve anëtare përse propozon hapa të caktuar, siç ishte në këtë rast hapja e klasterit 3 për Serbinë.
Megjithatë, sipas saj, vendimi përfundimtar varet nga pajtimi i të gjitha shteteve anëtare, të cilat duhet të binden se ekzistojnë arsye të mjaftueshme për ta lejuar vendin kandidat të vazhdojë procesin e anëtarësimit.
“Pas prapakthimit të evidentuar në Raportin e Zgjerimit të vitit të kaluar, është shënuar njëfarë përparimi. Megjithatë, mbetet ende shumë punë për t’u bërë, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit. Së fundmi kemi marrë sinjale nga Serbia se është e gatshme të harmonizohet më shumë me orientimet strategjike të Bashkimit Evropian”, tha Kos.
Shqipëria synon t’i përfundojë negociatat për anëtarësim deri në fund të vitit 2027, ndërsa Irlanda vlerëson se Mali i Zi mund ta mbyllë këtë proces deri në fund të këtij viti.
Ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Kosova ende nuk e ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ajo aplikoi për anëtarësim në fund të vitit 2022, por kërkesa e saj ende nuk është shqyrtuar.





